Kryebashkiakët socialistë që kanë në detyrë dy apo më shumë mandate, vlerësojnë dorëheqjen e Artan Shkëmbit nga posti i kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, por e konsiderojnë atë një qëndrim personal që nuk ndikon tek ata.Kryebashkiaku i Beratit, Fadil Nasufi, ai i Elbasanit, Qazim Sejdini dhe kryetari i bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu shprehen të gatshëm për të kryesuar sërish këto bashki nëse propozohen nga strukturat. Ndërsa theksojnë se karriget janë të sovranit dhe është ai që vendos.
Reagimi i kryebashkiakëve
“Përshëndes dorëheqjen dhe apelin për kolegët, të z. Shkëmbi. Për vete i jam bindur dhe i bindem vullnetit politik të PS-së dhe ushtroj përgjegjësinë publike deri në ditën që kam të drejtën e ushtrimit të mandatit si i zgjedhur”, – deklaroi kryebashkiaku i Beratit, Fadil Nasufi i cili qëndron në këtë post prej tre mandatesh. Ai shtoi se Partia Socialiste nuk ka asnjë pengesë që të zëvendësojë kryetarët aktual me prurje të reja, por nuk mund të flitet për qëndrime kolektive pas dorëheqjes së Shkëmbit. “Nuk ka asnjë pengesë forca ime politike për të bërë zgjedhjen e duhur dhe për të zëvendësuar kryetarët aktualë me prurje te reja. Nuk është fjala për qëndrime kolektive dhe as për solidaritet për një gjë që është krejt normale”, – pohoi Nasufi ndërsa shton se karriget janë të sovranit dhe jo të të zgjedhurve. “Ne jemi të nderuar që kemi shërbyer në këto funksione publike për kaq kohë! Mua më intereson emri dhe respekti që lë pas, dhe jo mandati apo karrigia e radhës. Rëndësi ka që unë jam në frontin e luftës politike të Partisë Socialiste dhe koalicionit “Për Shqipërinë Evropiane”, për shtetndërtimin dhe mbështetjen e reformave të qeverisë, pavarësisht se ku do jem pas 21 qershorit”, – theksoi ai.
E ndërkohë edhe më i distancuar qëndron kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Sipas tij dorëheqja e kryebashkiakut të Pogradecit është qëndrimi i tij personal. “I di vetë zoti Shkëmbi ato punë. Ai ka bërë një thirrje, është problem i tij dhe qëndrim thjesht personal”, – tha ai. I pyetur nëse do të jetë pjesë e garës së 21 qershorit, Sejdini tha se: “Unë do të jem pjesë e garës për aq kohë sa të më dojë partia dhe populli. Unë nuk jam pjesë e dorëheqjeve. Kam një mandat, do ta çoj atë deri në fund. Do ta vazhdoj me nder ose do ta lë me nder, këtë e di partia dhe qytetarët e Elbasanit. Por bashkë me qytetarët ama, jo vetëm partia”. Edhe për kryebashkiakun e Maliqit, Gëzim Topçiun, i cili shënon dhe rekordin në këtë post me plot katër mandate, vendimi i kolegut të tij është personal.
“Është një vlerësim personal i zotit Shkëmbi, e vlerësoj për atë që bëri. Nuk mund të them gjë tjetër”, – pohoi Topçiu. I pyetur për mesazhin e Shkëmbit se: “S’kemi lindur për t’u plakur në karriget që na kanë thënë të tjerët”, kryebashkiaku i Maliqit tha se këtë e vendosin votuesit. “Këtë e vendos votuesi. Nëse populli apo struktura vendos që nuk do të jesh më, nuk do të jesh më. Por kjo nuk vendoset kështu”, – deklaroi ai.
Topçiu deklaroi se do t’i bindet vendimit të strukturave dhe nëse propozohet sërish, do të jetë pjesë e garës elektorale të 21 qershorit për një mandat të pestë. Kryebashkiaku i Pogradecit, Artan Shkëmbi dha dy ditë më parë dorëheqjen duke i hapur rrugën një kandidati të ri për kryesimin e kësaj bashkie, pas zgjedhjeve të 21 qershorit. Nga selia e Partisë Socialiste, Shkëmbi nuk dha arsye të largimit por vetëm e njoftoi atë me argumentin se “s’kemi lindur për t’u plakur në karriget ku na kanë ulur të tjerët”. Por Shkëmbi gjatë fjalës së tij ‘paralajmëroi’ se edhe kryebashkiakë të tjerë nuk do të jenë më pjesë e listës së re të kandidatëve.
“Dua, pse jo, të jap edhe një mesazh modest mirënjohjeje dhe përgjegjshmërie ndaj forcës sime politike, i cili mbase mund t’iu vlejë qindra të zgjedhurve që janë votuar falë mbështetjes së PS-së por që nuk do të jenë dot më kandidatë. Jo vetëm s’kemi lindur për t’u plakur në karriget ku na kanë ulur të tjerët, por kemi detyrimin t’ia kthejmë familjes sonë politike investimin e bërë për ne, me gatishmërinë për të vazhduar t’i shërbejmë qoftë edhe si komisionerë të thjeshtë në zgjedhje”, – deklaroi Shkëmbi.
Propozimi i Finos: Kryetarë bashkie vetëm për 2 mandate
Deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino propozon kufizim të të drejtës së të zgjedhurve vendorë për të rikandiduar për postin e kryetarit të bashkisë. Gjatë diskutimeve të djeshme në Komisionin e Ligjeve të ndryshimeve në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, ligjvënësi i selisë rozë propozoi që kryebashkiakët mos qëndrojnë në këtë detyrë më shumë se 8 vite. “Propozimi im, të cilin e kam personal sepse nuk kam rënë dakord me përfaqësuesit e qeverisë, është që kryetari i bashkisë së re të zgjidhet 4-vjeçarin që fillon në 21 qershor të këtij viti dhe një 4-vjeçar tjetër, por pas 8 vjetëve mos zgjidhet më.
Gjithsesi ky është një propozim i imi dhe nëse nuk gjen mbështetje në Komisionin e Ligjeve unë do ta sjell amendament në seancë plenare”, – deklaroi relatori Fino ndërsa diskutohej nen për nen drafti i qeverisë. Pas komentit të kryetarit të komisionit, Fatmir Xhafaj nëse ky propozim vlente edhe për ata që kanë bërë dy mandate deri tani, Fino sqaroi se: “Nuk e kam për ata, them këta që fillojnë tani”. “Vetëm këtyre do t’ua lidhësh këmbët, atyre që kanë tre deri tani, le të bëjnë dhe nja 2 të tjerë…”, – shtoi Xhafaj. Por sipas Finos kjo është çështje e partive politike. Sugjerimi i tij nuk gjeti mbështetje në Komisionin e Ligjeve çka bën që socialisti Fino ta paraqesë atë si amendim në seancën plenare të së enjtes.
IKMT-ja kallëzim penal për kryebashkiakun e Gjirokastrës
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, kallëzon penalisht kryetarin aktual të bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime si dhe disa zyrtare të tjerë. Akuza për të gjithë zyrtarët është “shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim”. Ky kallëzim i IMKT-së 4 muaj para garës elektorale të 21 qershorit, duket se i heq mundësinë Bimes për një rikandidim, për një mandat të katërt në krye të bashkisë së qytetit të gurtë. Mësohet se kryebashkiaku i Gjirokastrës e kishte shprehur këtë ambicie, madje kishte filluar dhe lobimet për të pasur mbështetjen jo vetëm të Partisë Socialiste por dhe të aleatëve të saj. Por ky zhvillim i ri bën që mazhoranca qeverisëse të zgjedhë një emër të ri për këtë post.
Kallëzimi penal
Kallëzimi penal i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit ka ardhur për shkak të një vendimi të miratuar nga Bime në kohën kur drejtonte Këshillin e Rregullimit të Territorit të këtij qyteti, për ndërtimin e një pallati 7-katesh në lagjen “18 shtatori” të këtij qyteti në kundërshtim me legjislacionin shqiptar. Sipas padisë së ngritur nga Inspektorati, leja është dhënë me afat një vit në vitin 2009, por më pas në kundërshtim me çdo të dhënë urbanistike dhe të ligjeve, është lejuar edhe një shtesë prej 5-katësh.
“Vendimet janë dhënë pa pasur më parë dhe pa u bazuar në asnjë plan rregullues dhe asnjë studim urbanistik pjesor të miratuar sipas ligjit”, – njofton Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit. Kjo strukturë ka kallëzuar po ashtu edhe kryeinspektorin dhe inspektorët e IKMT-së të bashkisë Gjirokastër, shtetasin Ilir Çumaku, ish-sekretar i KRRT-së, në Bashkinë e Gjirokastrës, shtetasen Antoneta Çako ish-sekretare e KRRT-së në këtë bashki si edhe ish-anëtarët e Sekretariatit Teknik të Këshillit të Rregullimit të Territorit në bashkinë e Gjirokastrës.
Rikandidimi, Tushaj: Shqetësimi i tanishëm, përmbyllja e projekteve
Kryebashkiaku i Lezhës, Viktor Tushaj vlerëson punën e kreut të bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi ndërsa dorëheqjen e tij e konsideron si vendim të mirëmenduar dhe arsyetuar. Ai pohon se detyra e kryetarit të bashkisë është përgjegjësi dhe privilegj por kur prishet harmonia mes tyre del jashtë loje. I pyetur nëse ai vetë do të jetë pjesë e garës më 21 qershor, pohon se tani shqetësimi i vetëm për të është përmbyllja e projekteve të nisura.
Zoti Tushaj si e vlerësoni vendimin e zotit Shkëmbi për të dhënë dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut të Pogradecit pak muaj para zgjedhjeve lokale?
Së pari do të doja që të vlerësoja maksimalisht punën e bërë nga z. Shkëmbi në krye të bashkisë së Pogradecit. Në këto 3 mandate ai me korrektësi dhe profesionalizëm i ka dhënë Pogradecit një progres dhe zhvillim të pakrahasueshëm. Vendimi për dorëheqje është një vendim personal i mirëmenduar dhe i arsyetuar. Demokracisë nuk i vjen e keqja nga akte të tilla por nga e kundërta, nga sëmundja për të udhëhequr përjetësisht.
Gjatë deklaratës së tij nga selia e PS-së ai tha se: “Dua të jap edhe një mesazh modest mirënjohjeje dhe përgjegjshmërie ndaj forcës sime politike, i cili mbase mund t’iu vlejëqindra të zgjedhurve që janë votuar falë mbështetjes së PS-së por që nuk do të jenë dot mëkandidatë”. Është ky një mesazh që dhe të tjerë kryebashkiakë duhet të veprojnë si ai?
Mesazhi i tij nga selia e PS-së ishte i qartë. Respekt e mirënjohje për forcën politike që ka besuar tek ai dhe vlerat e tij, mirënjohje për qytetarët që e kanë votuar gjithnjë, por edhe mirënjohje e forcës politike për kontributin e dhënë. Të qenurit kryetar bashkie është harmonizimi i përsosur i përgjegjësisë me privilegjin, prandaj duhet ta kuptojmë se kur prishet ekuilibri në mes këtyre ti del jashtë fushës. Kur stresi i përgjegjësive kalon kufirin nuk ndjen as kënaqësinë e privilegjit apo as kënaqësinë e zgjidhjes së problemeve apo të realizimit të projekteve. Puna e kryebashkiakut është sa e vështirë aq edhe e bukur. E vështirë se si një kryefamiljar i mirë, ke mbi supe hallet dhe shqetësimet e të gjithë njerëzve, ku çdo gjë pritet nga ti, por edhe e bukur se përmes zgjidhjes së tyre rritesh e aftësohesh çdo ditë, mbushesh me kënaqësi kur shikon të ndryshojë pozitivisht qyteti që ti ke përgjegjësi ta ngresh çdo ditë e më lart me strategjitë e tua zhvillimore, me vendimmarrjet në favor të qytetit e qytetarëve, me projektet e zhvillimit, me investimet që prekin çdo ditë interesat e qytetarëve dhe përmirësojnë shërbimet ndaj tyre. Por ti duhet ta kuptosh kur është momenti i afrimit të kësaj prishje ekuilibri. Besoj se pas 3 mandateve edhe mund të të vijë një moment i tillë.
Ju do të jeni pjesë e garës elektorale të 21 qershorit?
Në fakt në këto momente ndjej vetëm detyrimin e madh për të përfunduar projektet e jashtëzakonshme të transformimit epokal të qytetit. Po realizohen me një shpejtësi marramendëse dhe me një standard të paparë ndonjëherë. Ky është preokupimi im i tanishëm.
Mendoni se duhet të ketë kufizim për mandatin e një kryebashkiaku?
Kufizimi i mandateve është një premisë e mirë për qarkullimin e vlerave por ato duhet të vijnë në rritje dhe përmirësim të vazhdueshëm. Janë bërë disa zgjedhje në këtë periudhe tranzicioni dhe duket sikur kemi bërë regres. Mendoj se gjithë shoqëria duhet të preokupohet për votën si institucion dhe vlerat e të zgjedhurve. Edhe forcat politike duhet të bëjnë më shumë në sitjen e tyre.
Në vendet e përparuara të Evropës dhe të botës njerëzit votohen për të dhënë një kontribut politiko-shoqëror apo administrativ në rastin e zgjedhjeve vendore. Në vendin tonë akoma shikohet si vend pune. Kjo duhet të ndryshojë sa më shpejt. Askush s’na ka penguar e as nuk na pengon në kufizimin e mandateve të atyre që nuk e meritojnë dhe nuk vlejnë. Duhet të kemi kurajën t’i themi jo të keqes e të paaftit dhe të përqafojmë të mirën e përbashkët.
















