Ambasada Amerikane në Tiranë ka paralajmëruar përsëri shtetasit e saj në Shqipëri për të bërë kujdes, pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që dënoi xhihadistët shqiptarë me 126 vite burg.
Në një postim në Facebook, Ambasada e SHBA fton qytetarët amerikanë që të rilexojnë masat e sigurisë të cilat u publikuan në faqen e saj në muajin prill.
“Ambasada Amerikane nuk është në dijeni të ndonjë kërcënimi specifik për ndonjë shtetas amerikan. Sidoqoftë shtetasit amerikanë duhet të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin zonën pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. Gjithashtu duhet të shmangin çdo tubim që mund të zhvilliohet pas gjyqit. Gjithashtu duhet të jenë në koherencë me mediat vendase për t’u informuar në lidhje me gjithë zhvillimet”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Gjithashtu, policia ka marrë në mbrojtje edhe gjyqtarët e krimeve të rënda që vendosën dënimin për 9 imamët shqiptarë, të akuzuar për rekrutim të luftëtarëve në luftën e Sirisë.















