Serbia nuk mund t’i fillojë negociatat për anëtarësim me BE-në pa u miratuar Marrëveshja e Brukselit. Po ashtu, Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Këto porosi, të cilat nga mediet serbe janë cilësuar si “brutale”, janë dërguar në Beograd nga Andreas Schockenhoff, deputet i koalicionit CDU –CSU në Bundestagun gjerman, të cilat i ka shpalosur para deputetëve serbë, në beograd.
Sipas burimeve të gazetës beogradase “Blic”, deputetët e partive politike serbe, si ato në pushtet ashtu edhe ato opozitare, janë shokuar me këto kushte kaq eksplicite të Gjermanisë.
Mediet serbe konstatojnë se këto nuk janë kushte të reja të Gjermanisë, por ato janë shprehur në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë.
Sipas gazetes “Blic”, fjalia “procesi i integrimit të Serbisë në Union nuk do të përfundojë derisa Kosova të hyjë në OKB” nuk është përdorur deri më tani gjatë vizitave, edhe pse qysh moti dihet kushti se “Serbia nuk guxon të parandalojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”. (r.m.)















