Vehap Kola
Kosova – shpresa jonë, Kosova – plaga jonë. -Papa Gjon Pali II
Shqipëria ka nderin të jetë vendi i parë europian që vizitohet nga Papa Françesku. Këtë akt vlerësimi e kanë kuptuar të gjithë dhe, ndonëse nën një regjim shumë kurnac buxhetor, Qeveria ka akorduar një fond jo të vogël për përgatitjen e denjë të pritjes. Mbetet për t’u parë, por gjithkush ka një pritshmëri se 21 shtatori do të jetë një ditë spektakolare në të gjitha përmasat. Kjo është hera e dytë që një Papë viziton Shqipërinë. Vizita e Papa Gjon Palit II erdhi menjëherë pas rrëzimit të diktaturës, kundër së cilës ai kishte bërë përpjekje të palodhura. Liria e besimit ishte rikthyer dhe shqiptarët kishin rivendosur marrëdhënien me Qiellin. Kjo e Papa Françeskut vjen në një moment tjetër të rëndësishëm dhe e gjen Shqipërinë në një gjendje pothuaj krejt të ndryshme nga ajo e vitit 1993. Shqiptarët janë sot më të pasur, më të shkolluar, më pranë Europës, por edhe më skeptikë, më racionalë dhe më pak të lidhur me qielloren. Është ai çast në histori kur feja duhet të ridëshmojë rolin e saj si një institucion themelor në frymëzimin dhe arritjen e lumturisë së shoqërisë njerëzore. Shqiptarët kanë nevojë të kuptojnë se nga politikanët në Bruksel, Tiranë dhe Prishtinë nuk japin dot të gjitha përgjigjet e pyetjeve të pazgjidhura të tyre. Por mbi të gjitha është koha kur Kosova, shteti më i ri në Europë dhe shteti i dytë i shqiptarëve të marrë një shtysë të re drejt anëtarësimit në OKB: të fitojë njohjen nga Vatikani.
Papa Gjon Pali II ishte një ndër kundërshtuesit më të mëdhenj të komunizmit. Ai ishte edhe një ndër frymëzuesit dhe miqtë më të mëdhenj të Presidentit Rugova. Nuk mund të thuhet se ku pritej me më shumë nderim ai – në Zyrën Ovale të Presidentit Klinton apo në audiencën e Papa Gjon Palit II -, sepse mbështetja e tij në këto dy boshte të fuqisë dhe diplomacisë ishte pothuajse e plotë. Sikur të ishte gjallë më 17 shkurt 2008, ndoshta ai do t’i kishte kërkuar vetë Vatikanit që ta njihte Kosovën shtet të pavarur. Por mbase kjo është urtësia e vërtetë e këtyre ngjarjeve dhe marrëdhënieve në dukje pa një lidhje mes tyre. Me gjasë, ai nuk është lëkundur kurrë në besimin se Vatikani do të ishte një ndër njohësit e parë të Republikës së Kosovës. Prandaj, sado e vogël kjo pëllëmbë toke dhe sado e madhe fuqia dhe influenca e Selisë, ajo besëlidhje e pashprehur apo ndoshta e panjohur për ne në përmasat e saj të vërteta e bën të domosdoshme që Papa Françesku të çojë në vend një dëshirë poaq të heshtur të Papa Gjon Palit II: të shpallë njohjen zyrtare të Kosovës shtet nga Vatikani.
Në këtë bigami mjaft inteligjente të Presidentit Rugova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht administratat e Presidentëve Klinton dhe Bush, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme që Kosova të jetë kjo që është sot: një Republikë e ngritur mbi vlerat e lirisë dhe demokracisë. Presidenti Klinton ishte mbështetësi dhe urdhëruesi kryesor i ndërhyrjes së NATO-s për të shpëtuar popullsinë civile nga genocidi serb dhe për të përzënë makinerinë ushtarake të kriminelit të luftës Millosheviç nga Kosova. Ndërsa Presidenti Bush bëri një akt që mund të shërbejë si një model i shkëlqyer edhe për vizitën e Papa Françeskut: shpalli de facto pavarësinë e Kosovës gjatë vizitës në Tiranë në qershor 2007.
Është koha që edhe Vatikani të dëshmojë angazhimin e tij të përhershëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në përputhje me aspiratat e popullit të saj. Ky do të ishte një kontribut konkret në aspiratën e shqiptarëve të të gjitha feve për të ndërtuar shoqërinë e tyre të ëndërruar të lirë nga shtypjet dhe kërcënimet e çdo tiranie, edhe nëse kjo tirani vjen nga një vend tjetër, siç ka ndodhur veçanërisht me Kosovën. Shqiptarët kanë dëshmuar deri sot se janë në gjendje të ndërtojnë modele të suksesshme në bashkëjetesën ndërmjet aderuesve të feve të ndryshme me harmoninë që mbizotëron midis myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Vatikani mund të jetë një fuqizues i mëtejmë i kësaj harmonie duke treguar një përkujdesje të veçantë ndaj shqiptarëve dhe domosdoshmërive të tyre kombëtare. Këtë vlerë të pazakontë në botën e përçarë të modernitetit e ka sintetizuar me elegancë kleriku patriot, At Gjergj Fishta me maksimën e tij të famshme “vërtet kemi bajram e pashkë, po shqiptarinë e kemi bashkë”. Vëmendja e shtuar e Selisë ndaj çështjeve që shqetësojnë shqiptarët përtej interesimit ngushtësisht fetar të secilit prej tyre është edhe një dorë ndihmuese e jashtëzakonshme drejt traditës së moderuar dhe një goditje e rëndë për të gjitha format e ekstremizmit modern që kërcënon vlerat tona tradicionale.
Përfaqësuesit e të dyja shteteve shqiptare, presidentët Jahjaga dhe Nishani, kryeparlamentarët, kryeministrat, deputetë të të dyja parlamenteve, veçanërisht deputetët katolikë të të dyja vendeve, kanë mundësinë e pashoqe që të udhëheqin këtë nismë për t’i paraqitur Papa Françeskut një lutje për njohjen e Kosovës shtet të pavarur. Kësaj nisme duhet t’i bashkohen edhe komunitetet fetare, si faktorë konstituivë të shtetit të parë shqiptar më 28 nëntor 1912, shoqëria civile dhe çdo shqiptar në të dyja anët e kufirit. Motivi i prosperitetit dhe përmbushjes së domosdoshmërive kombëtare nuk turpëron dhe nuk vë në pozitë të vështirë askënd. Ua kemi kërkuar mbështetjen dhe njohjen e Kosovës të gjitha vendeve dhe organizatave ndërkombëtare. Askush nuk është fyer. Atëherë, le të ekzistojë vetëm të paktën një ditë kohezioni mbarëkombëtar për të fituar një sfidë kaq përcaktuese për të ardhmen e shtetit të ri të shqiptarëve.
Kosova është plaga e pambyllur e Papa Gjon Palit II, po aq sa ç’ishte edhe për Dom Nikollë Kaçorrin e Haxhi Vehbi Dibrën. E pambyllur do të mbetet kjo plagë derisa ajo të anëtarësohet si anëtar me të drejta të plota në OKB dhe qytetarët e saj – shqiptarë, serbë, boshnjakë, turq dhe romë – të gëzojnë frytet e lirisë dhe paqes, ashtu siç i takon dinjitetit njerëzor dhe siç gëzojnë edhe qytetarët e vendeve të tjera.
Papa Françesku, mbylle këtë plagë të Papa Gjon Palit II.















