Presidenti i Republikës Bujar Nishani zhvilloi sot një takim më kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, në kuadër të konsultave për zhvillimet më të fundit të ndodhura në Bankën e Shqipërisë.
Takimi u zhvillua në Presidencë dhe zgjati rreth 60 minuta. Basha vlerësoi rolin e Presidentit në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar në vend.
“Kryetari i Partisë Demokratike theksoi qëndrimin e opozitës se garantimi i pavarësisë së Bankës së Shqipërisë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, dhe qëndrueshmëria e politikës monetare, janë të një rëndësie jetike për ekonominë e vendit dhe të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e zyrës së PD-së.
Pas largimit të kreut të PD-së, në ambientet e Presidencës mbërriti edhe kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili aktualisht po zhvillon një takim me Presidentin, arsyet e të cilit nuk dihen ende.
Ditën e djeshme Presidenti Nishani u takua edhe me kryeministrin Edi Rama, të cilët ndanë të njëjtat pikëpamje lidhur me domosdoshmërinë e sigurimit të një vijimi sa më të qëndrueshëm të punës së Bankës së Shqipërisë. Situata në Bankën e Shqipërisë ka vënë në lëvizje gjithë strukturat politike në vend.
















