Organizata “OMONIA”, partia “Mega” dhe Partia për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut u mblodhën në Sarandë, në kufirin shtetëor me Greqinë ku nis krahina e madhe e Shqipërisë Jugore, Çamëria e aneksuar nga vendi fqinj prej Konferencës së Londrës së vitit 1913
Tri grupime politiko-shoqërorë të pakicës së vogël joshqiptare (greke) në jug të Shqipërisë nisën një mbledhje për të diskutuar ndarjen e re administrative dhe territoriale të vendit.
Organizata “OMONIA”, partia “Mega” jashtë Kuvendit dhe Partia për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut e nënkryetarit të Kuvendit, Vangjel Dule ndërmarrin nismën për mbështetjen e një peticioni kundër ndarjes së re.
Takimi po zhvillohet në qytetin e skajshëm jugor Sarandë, në kufirin shtetëor me Greqinë ku nis krahina e madhe e Shqipërisë Jugore, Çamëria e aneksuar nga vendi fqinj prej Konferencës së Londrës së vitit 1913.
Në peticion kërkohet që të mos ndahen komunat që kinse kanë popullatë të ashtuquajtur “etnike”, duke përfshirë edhe Himarën, krahina e dytë më e madhe etnike jugore shqiptare pas Çamërisë.
Peticioni hartohet nga 5 komunat e pretenduar se kanë shumicë të pakicës joshqiptare dhe do ti drejtohet qeverisë në aleancë me PBDNJ-në dhe ambasadave.
Grupimet kërkojnë që të zgjerohen njesitë vendore të pakicës joshqiptare në jug dhe numri i komunave të bëhet katër, ndërsa gjithsej janë 61 (njesi vendore).
Paradite, ministri i Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi tha se qëndrimi i qeverisë për Himarën është i prerë dhe i qartë se Himara është pjesë e Shqipërisë dhe është një nga 58 zonat funksionale.
“Himara është një nga 58 zonat funksionale që janë krijuar në Shqipëri. Për ne Himara është pjesë e Shqipërisë, përvec 3 zonave minoritare që për shkak të kritereve që ne kemi vendosur kemi ruajtur përkatësinë minoritare. Himara është krijuar për të krijuar një funksionalitet si bashki e ardhshme”-tha ai.
Ndarja e re u miratua nga Komisoni i Posaçëm i Kuvendit për Reformën Administrative dhe Territoriale të krijuar në janar, duke mos pasur pjesë opozitën që e bojkotoi.
















