Pala kosovare po kërkon sot (e martë) në Bruksel një marrëveshje konkrete dhe me afate të caktuara kohore për heqjen e të gjitha barrikadave në pjesën veriore të Kosovës.
Kështu ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë udhëheqësja e delegacionit kosovar në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel, Edita Tahiri.
Duke folur gjatë pauzës së drekës, zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë se bisedimet do të vazhdojnë edhe pasdite për arritjen e marrëveshjes për heqjen e të gjitha barrikadave dhe për të funksionalizuar urën mbi Ibër, duke mundësuar kështu qasjen e lirë për këmbësorët dhe automjetët.
“Synimi ynë është të dalim me një plan konkret dhe me afate që të hiqen të gjitha barrikadat në urë dhe përreth urës…dhe i gjithë procesi të realizohet sipas ligjeve të shtetit të Kosovës”, ka thënë përmes telefonit Edita Tahiri.
“Deri më tash, diskutimet janë bërë përreth asaj që çfarë kanë qenë arsyet e destabilizimit të situatës, pra asaj çfarë ka ndodhur. Pastaj, jemi kthyer për të parë zgjidhjet dhe në kuadër të zgjidhjes parashihet një plan konkret ku BE do të japë kontributin e saj për zgjidhjen e problemit në harmoni me ligjet e Kosovës”, ka shpjeguar Tahiri.
E pyetur nëse mund të parashohë arritjen e një marrëveshjeje, duke u mbështetur edhe në negociatat e zhvilluara në pjesën e parë të ditës, zëvendëskryeministrja Tahiri nuk ka qenë në gjendje të japë një përgjigje të saktë.
“Në këto bisedime nuk mund të parashihet koha se kur mund të përfundojë takimi”, është shprehur ajo.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri e udhëheq delegacionin kosovar në bisedimet për heqjen e barrikadave në veri. Në këtë delegacion, përveç tjerësh, po marrin pjesë edhe kryetarët e dy komunave të Mitrovicës, Agim Bahtriri dhe Goran Rakiq.
Delegacionin nga Serbia e udhëheq drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...














