Bizneset që nuk lëshojnë kuponë apo fatura tatimore nuk do të gjobiten, por do të mbyllen brenda një afati kohor 10 ditor. Ky është një nga ndryshimet që propozohet në paketën e thjeshtimit të procedurave tatimore, pjesë e paketës së re fiskale, që është prezantuar dje në prani edhe të kryeministrit Edi Rama e Dhomave të Tregtisë e Shoqatave të Biznesit. Në tërësi, propozimet që pritet të miratohen në korrik, përveç disa prej lehtësirave në ligjin e procedurave fiskale të bëra publike nga vetë ministri Arben Ahmetaj, konsistojnë edhe në ndryshimet e masave administrative për shkeljet ligjore që bëjnë bizneset. Këto ndryshime vijnë pas shqetësimeve nga të gjithë përfaqësuesit e bizneseve vendase dhe të huaja, por edhe FMN, për goditjen masive me gjoba gjatë fazës së parë të aksionit kundër informalitetit. Kështu, nga korriku e në vijim, bizneset nuk do të gjobiten menjëherë në rast të mospajisjes me kasë fiskale.
Në nenin 36 të ligjit të procedurave tatimore për mospajisjen me kasë fiskale, pas verifikimit të dytë, kur konstatohet mungesa e saj, atëherë tatimet i bllokojnë aktivitetin për 15 ditë. Nëse tatimpaguesi, pas herës së parë, vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor, i bllokohet aktiviteti për një muaj dhe nëse vijon sërish përsëritja e këtij veprimi, administrata tatimore e kallëzon penalisht. Po kështu, tatimet kanë lënë nw fuqi gjobën për mos afishim të listës së çmimeve të shitjes, por në masë më të ulët se ligji i supergjobave, i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Nëse më parë kjo gjobë ishte 500 mijë lekë, tani është 10-fish më pak, 50 mijë lekë.
Për mosdeklarim të punonjësve për bizneset e regjistruar si subjekte me TVSh dhe tatimit mbi fitimin, gjoba e parashikuar bëhet 200 mijë lekë, nga 500 mijë lekë që është aktualisht. Për bizneset e tjera, gjoba është 50 mijë lekë, nga 50-250 mijë lekë, që është aktualisht. Ndryshimi në këtë nen përcakton përjashtimin nga gjoba në rastin kur nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e aktivitetit të personit fizik te vetëpunësuar, evidentohen persona mbi 16 vjeç, të cilët kategorizohen si persona të papaguar të familjes. Por ligji nuk toleron bizneset të cilat fshehin pagën reale të punonjësve.
Nëse konstatohet një shkelje e tillë dënimi do të arrijë në gjobë 100 për qind të detyrimit dhe kontributit të llogaritur. Në draftin e ri të hartuar nga dikasteri i financave janë parashikuar një seri lehtësirash të procedurave tatimore të propozuara nga vetë biznesi. Disa prej tyre përfshijnë varësinë e Komisionit të Apelimit Tatimor nga Ministria e Financave, rimbursimin automatik të TVSH-së, vetëkorrigjimi i bizneseve pa penalitet, si dhe heqja e referencës për ndërmarrjet e ndërtimit. Biznesi nga ana e vet, i ka mirëpritur këto ndryshime, por nisur nga afati që ka lënë ministri Ahmetaj për të dhënë propozimet shtesë, ata kanë kërkuar që qeveria të lehtësojë më tej barrën fiskale për sipërmarrjet.
“Është domosdoshmëri që qeveria shqiptare ta shohë seriozisht uljen e tarifave të sistemit të taksave. Ne sot jemi me paketën fiskale më të rënduar në rajon”, tha kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka. Ndërkohë, edhe Dhoma e Fasonëve ka bërë një kërkesë të ngjashme. “Presim disa ulje të taksave dhe këtu nënkuptoj ose tatim-fitimin, ose dividendin për veprimtaritë prodhuese shqiptare”, ka thënë kryetari Gjergji Gjika. Të dy këto dhoma janë ankuar edhe për procedurat, duke filluar nga rimbursimi i TVSH-së.
“Thuhet që do të bëhet rimbursimi automatik, ai pa risqe e të tjera me radhë. Gjëra shumë të bukura kur i dëgjon, por faktikisht, ne sot kemi kompani udhëheqëse në treg që vuajnë për likuiditet, vetëm e vetëm sepse nuk i është rimbursuar TVSH-ja”, është shprehur Gjika. “Ne mendojmë që Avokati i Tatimpaguesve të jetë të paktën brenda emërimit të institucionit të Ministrisë që mbulon tregtinë, ndërsa lidhur me apelimin tatimor ne vazhdojmë të kërkojmë që të jetë nën varësinë e Këshillit të Ministrave”, ka thënë Jaka.
Rama: Kompani të huaja shantazhojnë qeverinë
Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikave të fundit të dala nga sondazhet e Dhomës Amerikane dhe përfaqësueseve të tjerë të biznesit. “E vërteta është se çfarë kemi bërë nuk mjafton absolutisht, nëse nuk vazhdojmë më tutje ta kompletojmë duke bërë atë që duhet. Por, më lejoni ta them se ka edhe një të vërtetë tjetër. Shumë pak janë mësuar bizneset ta respektojnë ligjin”, deklaroi Rama. Ai u shpreh se ka kompani të huaja, të cilat shantazhojnë qeverinë për favore fiskale. “Vetëm në Shqipëri dhe vetëm në këtë atmosferë mund të ndodhë që një kompani e huaj, duke tundur flamurin amerikan apo flamuj të tjerë shumë të respektuar, të mund të kërcënojnë qeverinë shqiptare”, tha më tej Rama.
Vlerësimet më të fundit skeptike për klimën e biznesit ishin ato të Dhomës Amerikane të Tregtisë. “Unë e kuptoj shumë mirë reagimin e biznesit. Por të më thoni mua që klima e biznesit sot është përkeqësuar, ndërkohë që 32 muaj më parë ju nuk merrnit dot një TVSH mbrapsht, pa paguar të paktën 50 për qind të asaj që ju takonte, kjo më duket pak si e tepruar”, u shpreh Rama. Qeveria ka hedhur për konsultim me sipërmarrjen një ligj të ri për procedurat, i cili sipas saj lehtëson biznesin. “Këto bëjnë diferencë shumë të madhe nga ajo që ka qenë përpara. Ky është një sistem i ri tatimor për sa i përket procedurave, ku prevalencën e ka sipërmarrja”, deklaroi ministri Ahmetaj.
Inflacioni në rritje, 0.7 %
Pasi qëndroi për 3 muaj me radhë afër zeros, inflacioni u përshpejtua në 0.7 për qind gjatë muajit maj. Instituti i Statistikave raportoi se, rikthimi i inflacionit në trend rritës u ndikua nga çmimet e ushqimeve dhe ato të shërbimit arsimor, të cilat u rritën respektivisht me 2.2 për qind dhe 4.8 për qind, krahasuar me një vit më parë. Ndërsa ulja më e madhe e çmimeve është vërejtur në grupin e transportit me 4.7 për qind, pasuar nga kostot shëndetësore, të cilat kanë rënë me 2.8 për qind krahasuar me vjet.
Pavarësisht përshpejtimit të vërejtur në maj, inflacioni mbetet sërish i ulët dhe larg objektivit ligjor. Banka e Shqipërisë ka si detyrim ligjor, që inflacioni të jetë në intervalin 2 deri në 4 për qind, pasi sipas saj ky është niveli më i përshtatshëm për të nxitur rritjen ekonomike dhe investimet e biznesit. Por që nga fillimi i vitit, inflacioni ka qenë vazhdimisht në nivele afër zeros për shkak të rënies së fortë të çmimit të naftës dhe atyre të ushqimeve. Kjo situatë alarmoi Bankën e Shqipërisë, e cila ka ndërhyrë duke ulur 3 herë brenda një kohe të shkurtër normën bazë të interesit, për të inkurajuar konsumin dhe investimet.
















