Nga Skënder Mulliqi
Tema kryesore sot në Kosovë është politika dhe interesimi i opinionit të gjere publik se kush do ta fitojë pushtetin në këtë maratonë të pakuptimtë politike, VLAN-i apo PDK-ja. Ka gjithëfare interpretimesh,dhe ato kryesisht po bëhen në bazë të informacioneve qe i marrin njerëzit, dhe sipas deshirës së kush në cilën parti graviton ose anon. Sigurisht së po të ishin punët mirë në planin e ecurive ekonomike, tema e politikës nuk do të ishte interesante si në shtetet me demokraci të avanasuar. Mos formimi i organeve të shtetit edhe pas pesë muajve është edhe një tregues më shumë, se kjo elitë politike pak merre vesh nga demokracia. Për demokracinë janë të rëndësishme pyetjet e radhës. Kush është i zgjedhur dhe kush po i udhëheq? Ata që po votojnë a po votojnë për ta udhëhequr shtetin ashtu si duhet apo për të sunduar siç po ndodhë që 15 vite. Dhe pyetja tjetër. A po zgjedhim njerëz tamam të politikës? Si po udhëhiqet politika dhe apo zbatohet ajo konform kërkesave dhe dëshirave të qytetarëve pas procesit zgjedhor? Dhe nga të gjitha këto pyetje unë do të thosha së ne deri me sot kemi deficit të demokracisë dhe reaksione jo demokratike. Dhe, sot më shumë se kurrë na paraqitën shumë pyetje për çka na shërbejnë atëherë zgjedhjet nëse politika nuk shkon sipas preferencave të qytetarëve, ose kur ata nuk pyeten për asgjë. Interesat e qytetarëve janë krejt tjera nga interesat që i kanë këta pushtetarët tanë. Sigurisht që kësaj elite politike po i mungon shumë morali politik, i mungon dija dhe vullneti politik. Po mos të ishte kështu deri më tash do të ishte gjendur ndonjë formulë politike që të krijohen organet e reja shtetërore, kur dihet dëmi i madh që po i shkaktohet Kosovës nga një vonesë e tillë. Dikush po i mëshon thumbit, e dikush patkoit, në vend që të mbretërojë arsyeja mbi të gjitha, sepse është ka rrezikohet zhvillimi i gjithëmbarshëm i shtetit të Kosovës. Duhet të bëhemi institucionalist nëse mendojmë që të kemi shtet ku sundon rendi dhe ligji. E dihet së deri me tash as për afër nuk jemi duke ndërtuar shtet ligjor dhe demokratik. Aq me të keqe e bën situaten kur dyshohet se edhe EULEX-i është përfshirë ne aferat korruptive. Dihet së edhe çfarë niveli të lartë kemi të krimit dhe të korrupsionit që janë bërë pengesa me e madhe e ecjes tonë përpara. Pas krijimit do të thosha të situatës abnormale politike, kjo kastë politike sikur të kishin pak ndërgjegje qytetare pa vonuar shume do t’u kishin lëshuar vend forcave të reja kreative politike. Gjendja sociale është buzë greminës. Kriza ekonomike dhe mos interesimi për ta zhvilluar atë është njëri nder faktorët kryesor që kaq shumë ka rënë standardi jetësor në Kosovë.Paknaqësit janë bërë të përgjithshme, kurse frika për ekzistencë është bërë dominante. Kjo është e keqja më e madhe e cila po vazhdon, edhe për faktin së po vazhdojnë lojërat politike. Kjo është fyese për qytetarë. Kjo është mjerimi ynë politik dhe shtetëror. Gjithnjë e më shumë po shkatërrohet klasa e mesme, e cila është roje e demokracisë. Përditë po jemi dëshmitarë të tubimeve monotone dhe të zbrazëta të atyre që po tregohen se po u mungon morali në demokraci. Këta po kërkojnë diçka imagjinare, e jo qe vete janë bërë pengesa kryesore e të gjitha proceseve. Disa gjera sanksionohen më ligj, e disa veprime si këto të elitës tonë politike sanksionohen me veprime te moralit për gabimet e bëra. Ne demokraci nuk është legjitime që dikush të diskualifikohet nga paragjykimet, apo nga motivet e brendshme. Kjo i ngjan thënies se jemi për Kosovën, e në fakt dashur ose pa dashur punohet kundër interesave të Kosovës. Elita politike po tregohet e zbrazët, pa alternativë, dhe gjithnjë po tregohet se nuk e meriton që prapë ta ketë pushtetin. Kritikat mediale duhet të përkojnë me rregullat demokratike të lojës nëse ato bëhen gjithnjë në kontekst pozitiv dhe nuk e prishin koherencën. Por tash më shumë se kurrë është futur një arsenal i tërë i propagandës. Kur është në pyetje e ardhmja e shtetit dhe kombit këtu nuk i lejohet askujt të bëjë lojra për hir të kujtdoqoftë ai. Të shpresojmë se do të kemi një vetëdijësim më të madh të atyre që sot do të marrin vendime shumë të rëndësishme politike për vendin, në momentin më kritik që pas përfundimit të luftës. Se kjo kastë politike ka marre rrugë të gabuar e shprehu edhe deklarata e ambasadores amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, e cila për rolin e faktorit ndërkombëtar dhe mundësinë e përfshirjes së saj me këshilla për politikanët e Kosovës, për gjetjen e një zgjidhjeje të nyjës që ka paralizuar punën e institucioneve të vendit, ajo nuk ngurroi ta thotë troç: “Mos e dhini punën!” Ky është mesazhi më i ashpër dërguar liderëve të Kosovës, por sigurisht edhe mesazhi më adekuat…















