Personi i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi është i dënuar me 25 vite burg për tragjedinë e 9 janarit, është pajisur me pasaportë biometrike nga dy efektivë të policisë. Dy efektivët e policisë janë arrestuar pasi akuzohen për kryerjen e veprës penale “shpërdorim të detyrës” si dhe “falsifikim të dokumenteve”.
Mësohet se në pranga janë vënë inspektor Leonel Begaj, i cili kryen funksionin e pranuesit të dokumentacionit të personave që aplikojnë për tu pajisur me pasaporta në Komisariatin e Policisë Vlorë si dhe K/inspektor Lirim Limaj me detyrë ndihmës specialist në Komisariatin e Policisë në Vlorë. Sipas Ministrisë së Brendhme shtetasi Viron Robaj ishte person i shpallur në kërkim për kryerjen e veprës penale “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me pasojë vdekjen” dhe për këtë arsye është dënuar nga Gjykata e Apelit në Vlorë me 25 vite burg për tragjedinë e 9 janarit të vitit 2004.
Ndërkohë Viron Robaj është arrestuar nga Policia Italiane dhe i është sekuestruar pasaporta me të dhëna të falsifikuara. Më pas është njoftuar zyra e Interpolit dhe janë kryer hetimet se cilët kanë qenë personat që kanë pajisur me pasaportë shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ndërkaq hetimet ende po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës për zbulimin e plotë të ngjarjes.
9 janari i 11 viteve me pare do te kujtohet pasi ne tragjedinë e ndodhur ne këtë dite, humbën jetën 21 persona, ndërsa 8 ende rezultojnë të zhdukur.
Mbrëmjen e 9 janarit 2004 në bordin e gomones së nisur nga porti i Vlorës drejt Italisë, ishin vendosur 36 refugjatë shqiptarë, mes tyre gra dhe fëmijë. Çdo emigrant pagoi 1500 euro për udhëtimin.
Por për shkak të motit të keq dhe dallgëve të mëdha, gomonia u mbyt duke gjetur vdekjen 21 persona nga 36 që ishin në gomone. Viktimat ishin kryesisht nga Shkodra e Lezha.
Lundruesit kërkuan ndihmë drejtpërdrejt në një televizion por ndihma mbërriti me vonesë.