Virtuozi i violinës me një karrierë të pasur ndërkombëtare, kthehet në Tiranë bashkë me grupin e tij “International Clandestine Orchestra” për një koncert të madh më 23 prill. Një koncert që vetë Olen Cesari e ka konceptuar si një festë të madhe
Me grupin e tij të “klandestinëve” rikthehet pas dy vitesh në shtëpi me një festë të madhe. Kështu e quan virtuozi i violinës Olen Cesari koncertin e tij në Pallatin e Kongreseve më 23 prill. Cesari bashkë me grupin “International Clandestine Orchestra” do të sjellin repertorin e pasur, për të cilin vetë violinisti shprehet se do të jetë një xhiro muzikore e gjatë nëpër botë, nga Argjentina në Australi.
Përveç muzikës së tij, ka vendosur që këtë festë të madhe ta ndajë me katër artistë shqiptarë, si Ermal Mamaqi, Alban Skënderaj, Flori Mumajesi dhe Elvana Gjata, një format të cilin Cesari e përdor në të gjitha koncertet e tij nëpër botë, duke pasur gjithnjë artistë të njohur nga vendi.
“Artistët e ftuar janë miqtë e mi, të cilët do ta përshëndesin publikun gjatë koncertit duke u shkrirë me stilin tim muzikor dhe duke performuar brenda së njëjtës atmosferë që sjellim unë dhe International Clandestine Orchestra. Do të jetë një surprizë e bukur”, – është shprehur Cesari. Ky koncert është i veçantë për violinistin, pasi do të luajë për publikun e tij.
Albumi i parë i Cesarit, i titulluar “Unexpected”, është vlerësuar shumë nga kritika.
International Clandestine Orchestra është një grup multietnik i përbërë nga muzikantë të gjashtë kombësive të ndryshme, të ardhur nga tri kontinente: në vokal Lavinia Mancusi, daulle, Matteo Di Francesco, në pianoforte, “mister harmonia” jugafrikani Micheal Rodi; në perkusion “njëmijë duarshi” peruviani Gabriel Gagliarini; në bas dhe kontrabas napolitani Paolo Cozzolino, shumë i njohur edhe për praninë e tij në Orkestrën e Sheshit Vittorio. Tingulli i “International Clandestine Orchestra” i besohet me profesionalizëm Alessandro Aloisit.
Italianët e kanë quajtur një artist të jashtëzakonshëm, virtuoz i violinës dhe kompozitor eklektik. Lucio Dalla e konsideronte një nga më të mëdhenjtë në botë. Repertori i Cesarit i përfshin të gjitha zhanret; nga ajo klasike te muzika xhaz, etnike e ajo botërore.
Koncerti është një rast për të shijuar repertorin e gjerë dhe të jashtëzakonshëm të Cesarit, që me intensitetit e çon spektatorin në një rrugëtim emocional që emocionon, magjeps, tërheq drejt një shkrirjeje zërash dhe ngjyrash. Pas koncertit në Tiranë, Oleni do të jetë i angazhuar me një tur në të gjithë Italinë, së bashku me një grup komik “La Premiata Ditta” .



















