Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O’Connell, kërkon që kriza politike të zgjidhet me dialog dhe jo me dhunë, kurse të akuzuarve për krim dhe korrupsion u rekomandon të mos i ikin drejtësisë. Ai thekson se nuk duhet të ketë imunitet për askënd.
“Në Kosovë është krijuar një lloj imuniteti joformal për të përfshirët në krim dhe korrupsion, ku të akuzuarit, siç ka ndodhur rasti me ish-kryetarin e Kaçanikut, ikin lirshëm nga vendi drejt Evropës. Kjo duhet të ndryshojë, nuk duhet të ketë imunitet askush! Është shumë me rëndësi që kushdo që akuzohet të paraqitet para drejtësisë”, ka thënë O’Connell në një intervistë për gazetën “Zëri”.
Ai ka kujtuar se jo shumë qytetarë të Kosovës besojnë që drejtësia në Kosovë është e fortë dhe që ky sistem nuk ka korrupsion.
O’Connel ka folur edhe për krizën aktuale politike në vend dhe për zgjidhjen e saj. Në këtë kontekst, ai ka theksuar se kriza politike duhet të zgjidhur me dialog dhe jo me mjete të dhunshme.
“Nëse ti përdor gaz lotsjellës, ai do të përdor gurë. Nëse ai përdor gurë, me çka do të përgjigjet ai tjetri, me armë dore?… Gjatë viteve të 60- a, e kemi pasur të njëjtiën situatë në Irlandën Veriore, kut ka jetuar edhe familja ime,. Kanë humbur 25 vjet në atë konflikt… Pra, është shumë i rrezikshëm përdorimi i dhunës”, ka thënë ambasadori O’Connell.
















