Që kur ushtria ruse sulmoi Ukrainën gati katër muaj më parë, mijëra civilë janë vrarë dhe qytete të tëra janë kthyer në gërmadha, ndërsa miliona ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre.
Por të enjten, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se gjërat nuk ishin ashtu siç dukeshin.
“Ne nuk e pushtuam Ukrainën,”theksoi ai. “Ne shpallëm një operacion të posaçëm ushtarak sepse nuk kishim absolutisht asnjë mënyrë tjetër për t’i shpjeguar Perëndimit se tërheqja e Ukrainës në NATO ishte një akt kriminal.”
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, Lavrov ka dhënë vetëm disa intervista për mediat perëndimore. Në të gjitha ai vazhdon thekson linjën zyrtare të Kremlinit, se rusët po luftojnë nazistët që kanë ‘pushtuar’ Ukrainën.
Gjatë një interviste për BBC, Lavrov ka akuzuar Perëndimin se po përhap lajme të rreme për luftën, teksa gazetari i përmendi një raport zyrtar të OKB-së, i cili thoshte se 360 banorë, përfshirë 74 fëmijë dhe pesë persona me aftësi të kufizuara, u detyruan nga forcat e armatosura ruse të qëndrojnë për 28 ditë në bodrumin e një shkolle, ku nuk kishte tualete dhe ujë. Si pasojë vdiqën 10 të moshuar.
“Është një keqardhje e madhe,” u përgjigj Lavrov, “por diplomatët ndërkombëtarë, duke përfshirë Komisionerin e Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe përfaqësues të tjerë të OKB-së, po vihen nën presion nga Perëndimi. Dhe shumë shpesh ata janë duke u përdorur për të përforcuar lajmet e rreme të përhapura nga Perëndimi. Rusia nuk është e pastër. Rusia është ajo që është. Dhe ne nuk kemi turp të tregojmë se kush jemi”, vijoi ai.



















