Nuk është vetëm lojë, ashtu siç Davidi nuk është një copë mermer, kapela Sistine një tavan i lyer me bojë apo Monaliza, një beze e llangosur. Është gati fe, me ndjekësit e tij e si çdo fe ka besimtarët rastësorë, të moderuar, të rregullt dhe fondamentalistë; me tempujt ku më tepër se në kisha e xhami, shkojnë me mijëra; me ritet e tij. Në Itali konkurron kishën, në Angli ndjekësit e tij tejkalojnë ata të fesë zyrtare, në Brazil bën mrekullitë që të çojnë nga favellas në majat e botës. Pëlqehet nga kristianët, myslimanët, budistët, hindutë, hebrenjtë e deri tributë afrikane pagane.
Është më pak se luftë, ose nëse është e tillë, ngjan me ato të kalorësve mesjetarë me rregulla strikte fisnike, ku nuk mungojnë të vdekurit e të plagosurit në fushëbeteja dhe të dëmtuarit në secilën prej tyre. Ka strategjinë dhe taktikën, planifikimin e forcave dhe përdorimin e tyre. Ashtu si lufta merr ajkën e rinisë, ka uniforma, komandantë shtabesh që quhen trajnerë dhe komandantë terreni që quhen kapitenë, mbrojtës dhe sulmues. Ka luftë në tokë dhe ajër. Si një skuadër komando, secili duhet të lozë për veten dhe ekipin. Duhet të rezistojë deri në frymën e fundit, atëherë kur sytë djegin nga djersa dhe muskujt këputen nga stërmundimi. Të mos dekurajohesh edhe nëse rezultati e kundërshtari të kanë vënë përfund dhe duken të pathyeshëm e pandryshueshëm. Telepatia nuk ekziston përveçse në këtë lojë, ku duhet të hamendësosh dhe parashikosh lëvizjen e shokut dhe kundërshtarit. Kombinon pjesën më të ngathët të trupit me atë më inteligjenten e tij, këmbët me trurin.
Është ideologji dhe si ajo ka në masat efektet irracionale vështirë të shpjegueshme nga shkenca. Forca e tij matet me fenomene natyrore e sociale. Daljen nga depresioni i vitit 1998, Francës ia solli vetëm fitorja e kampionatit botëror. Është futbolli, kjo shpikje anglezësh. Të martën kombëtarja shqiptare do të ndeshet me atë serbe. Thënia se “E rëndësishme është të marrësh pjesë dhe jo të fitosh”, është thënie humbësish. Historia mban mend vetëm fitimtarët, humbësit e shumta i mëshiron. Historia shkruhet nga fitimtarët. Dhe në këtë rast nuk bëhet fjalë për një rezultat banal ndeshjeje. Kombëtarja jonë nuk shkon aty vetëm me mision sportiv, e as të ndëshkojë serbët për masakrat ndaj shqiptarëve.
Por të tregojë atributet e një kombi të barabartë. Nuk është një duel ku tregohet kush është racë superiore apo inferiore. Kë ka gënjyer mendja për superioritet, ka marrë mësimin nga historia. Kombëtarja jonë shkon aty si përfaqësuese e Shqipërisë natyrale. Kaq mjafton si shembull për kë në të shkuarën i mori koka erë. Nëse mikpritësit ndaluan shkuarjen e tifozëve për shkaqe sigurie, duhen falenderuar për kujdesin. Nëse patën frikë nga simbolet tona, atëherë u duhet punë për të dalë nga burgu ku kanë futur veten. Mund të vijnë në Tiranë dhe të shpalosin sa të duan flamujt serbë. Do të jenë të mirëpritur. Deri në çastin që nuk do kërkojnë t’i ngulin në tokën shqiptare. Por cilado qoftë arsyeja e ndalimit të mbështetësve, nesër një grusht shqiptarësh do të jenë vetëm përballë mijëra serbëve.
Cilido qoftë rezultati i tyre, ata janë të parët misionarë të ofertës për bashkëjetesë civile, pasi një nga atributet e futbollit është mosqenia e tij vetëm lojë. Dhe në këtë pikë ata janë fitimtarë. Disa ditë më pas do të shkojë edhe kryeministri në një vizitë në Beograd. Protokolli strikt do kërkonte që serbët përpara të kërkonin falje për viktimat e tyre. E shkuara mëson se duhet hedhur gjithmonë nga dikush hapi i parë, dhe kur këtë e bën viktima, është në nderin e tij. Me shpresën se edhe agresori një ditë do të turpërohet për të shkuarën e tij dhe çmuar fisnikërinë e viktimës. Nesër, një grusht shqiptarësh nuk do të jenë vetëm në Beograd. Miliona shqiptarë, tifozë dhe jo, do të jenë me sytë tek ata. Kurajo djema!
















