Nga Ndriçim Kulla
Deklarata e kryeministrit Rama se qeveria do të futë mësimin e fesë në shkolla, u shndërrua menjëherë në temën e nxehtë të debatit në vend, për arsye se prek laicizmin e shtetit shqiptar. Reagimet e para ishin aq negative sa vetë kryeministri u detyrua të tërhiqet, duke sqaruar se bëhet fjalë jo për mësim të fesë, por të historisë së feve. Sqarim i nevojshëm, edhe pse nuk kuptohet qartë se ku është dallimi, pasi historia e feve flet për fetë. Futja e një lënde për mësimin e fesë në shkolla, në çdo formë që të jetë, krijon probleme të paparashikuara dhe nuk duhet provuar me kaq mendjelehtësi.
Në qoftë se shihet e domosdoshme që të mësohen në shkolla elemente bazë të njohurive fetare, qoftë si etikë, qoftë si histori, e në përgjithësi si kulturë, atëherë një zgjidhje kompromisi do të ishte që kjo të bëhej me anë të një lënde të veçantë, që do të përmbante elemente bazë të Mendimit Shqiptar, që kanë të bëjnë me kulturën fetare. Nëse duam që ta futim njohjen e fesë si etikë, histori, si kulturë në shkolla, atëherë mënyra më e mirë për ta bërë këtë gjë është nëpërmjet prizmit që e kanë parë atë Etërit e Mendimit Shqiptar, që nga koha e Rilindjes Kombëtare e më vonë. Etërit e Mendimit Shqiptar kanë shkruar shumë për këto çështje, por duke i parë në prizmin e kulturës kombëtare shqiptare. Dhe ata të gjithë i ka bashkuar një frymë e madhe tolerance dhe harmonie ndërfetare.
Branko Merxhani ishte i krishterë ortodoks që adhuronte Turqinë e Ataturkut dhe ua tregonte atë si model shqiptarëve të kohës së tij, kur ishte fjala për raportin e shtetit me fenë. Merxhani ka shumë faqe për shkollat publike. Fan Noli, një klerik ortodoks ka shkruar një biografi të Muhamedit, profetit mysliman. Zef Valentini, një jezuit italian, i cili ia kushtoi jetën Shqipërisë aq sa u shqiptarizua dhe e fliste e shkruante gjuhën shqipe më mirë se shumica e shqiptarëve, ka shkruar mjaft faqe për historinë e feve, të para në prizmin e historisë shqiptare. Gjithashtu, Valentini ka shkruar edhe për etikën që buron nga feja dhe si mund të inkorporohet ajo në etikën qytetare. Hafiz Ali Korça është një klerik mysliman atdhetar, që ka lënë një vepër, pjesë të së cilës mund të shërbejnë mjaft për këtë qëllim. At Anton Harapi është kolegu i tij katolik që gjithashtu ka shkruar shumë për këto tema. Nga klerikët, në këtë listë do të shtoja Dom Lazër Shantojën, At Gjergj Fishtën, Hafiz Ibrahim Dalliun, Imzot Kristofor Kisin etj.
Mid’hat Frashëri dhe Mehdi Frashëri janë gjithashtu dy studiues që në librat e tyre kanë pjesë që do t’i shërbenin mjaft këtij projekti. Nuk mund të lihet mënjanë as Tajar Zavalani. Pashko Vasa nuk ka dyshim se nuk mund të lihet jashtë kësaj liste. Në këtë listë, që mund të bëhet e gjatë sipas këndvështrimit të njërit apo tjetrit, po i përmend në fund Naim dhe Sami Frashërin, jo se ata janë më pak të rëndësishëm se të tjerët, por sepse rëndësia e tyre është e mirënjohur dhe për ta nuk është e nevojshme që të shpjegohet se përse gjenden në këtë listë.
Për pjesën më të madhe të këtyre viganëve të Mendimit Shqiptar, ne akoma kemi mungesa të mëdha sa i përket njohjes së veprës së tyre nga nxënësit tanë. Në bibliotekat e shkollave tona nëntëvjeçare dhe të mesme mund të gjesh me shumicë veprat e Naimit, Samiut, Fan Nolit, por ka mangësi të madhe sa iu përket veprave të të tjerëve që përmenda më lart.
Shumë produktive do të ishte që qeveria të mbështeste projekte për përgatitjen e botimeve të llojit antologjik, për nxënësit, si dhe enciklopedik për mësuesit, ku të përfshihej ajo pjesë e Mendimit Shqiptar që ka të bëjë me temat fetare, me mënyrën sesi i kanë parë fetë korifenjtë e Mendimit Shqiptar dhe se si kanë postuluar parimet e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në kushtet shqiptare. Libra të këtillë do të ishin shumë të vlefshëm nëse do të shkonin në dorën e nxënësve dhe të mësuesve. Le të provohet të bëhet kjo gjë së paku për një dekadë, pastaj në qoftë se nuk është e mjaftueshme, mund të provohet me projektin për të cilin ka folur kryeministri. Por unë mendoj paraprakisht se zgjidhja e mbështetur te etërit e Mendimit Shqiptar është më e mira.
Nga ato që janë thënë deri më tani, del që projekti për mësimin e fesë në shkolla do të marrë financime të mëdha, si nga qeveria ashtu dhe nga donatorët ndërkombëtarë europianë dhe amerikanë. Kjo do të thotë se në vitet e ardhshme për këtë projekt do të harxhohen shumë milionë euro dhe dollarë. Në qoftë se vetëm një pjesë e vogël e këtyre parave do të harxhoheshin për projektin që përmenda më lart, të bazuar në Mendimin Shqiptar, do të arriheshin rezultate shumë më të mira. Këtë e them me siguri sepse kjo është provuar në të kaluarën, kur idetë e korifenjve të Mendimit Shqiptar kanë qenë në bazë të shkollës shqipe, që nga koha e Rilindjes dhe më vonë në kohën e Pavarësisë. Në kohën e regjimit komunist, Panteoni i Mendimit Shqiptar u cungua rëndë dhe pas vitit 1990 pak u bë nga shteti për ta pasqyruar këtë Panteon në lëndët mësimore dhe për ta dërguar veprën e tyre pranë nxënësve dhe mësuesve në bibliotekat e shkollave. Kur riparohet një shkollë duhet të kihet parasysh se për riparim ka nevojë edhe biblioteka e saj, duke e pajisur me veprat themelore të Mendimit Shqiptar.
Ata që duan të futin mësimin e fesë në shkolla e njohin pak ose aspak trashëgiminë kulturore që na kanë lënë Etërit e Mendimit Shqiptar. Ndryshe do ta kuptonin se nuk ka nevojë për këtë gjë dhe se ata na e kanë lënë manualin që po kërkohet sot, për t’i mësuar nxënësit me një këndvështrim të drejtë për fetë, që të jenë të imunizuar nga ekstremizmat, të cilët sot janë bërë më të rrezikshëm se kurrë ndonjëherë. Ne sot nuk na mbetet të bëjmë gjë tjetër veçse t’i rigjenerojmë këto ide të Etërve të Mendimit Shqiptar dhe t’i ushqejmë nxënësit tanë me to. Nuk ka përgatitje më të mirë për mësuesit tanë, që do të mbulojnë këtë pjesë të edukimit të nxënësve, se të njohin këtë aspekt të Mendimit Shqiptar. Atje ku ne kemi asete kulturore që përbëjnë përvoja të vlefshme që e kanë justifikuar veten, nuk kemi pse të kërkojmë përvojë të huaj të paverifikuar dhe të papërshtatur mirë me përvojën tonë, se mund të na ndodhë si me Reformën në Drejtësi, që gjatë këtyre 25 vjetëve kemi marrë tri-katër variante të një reforme të tillë nga të huajt dhe sot përsëri të gjithë themi se kemi nevojë për një Reformë në Drejtësi.
















