Nga Alma Pula*
Zgjedhjet po afrohen dhe nuk ka mundësi të mos shqetësohesh dhe të pranosh gjendjen e mjerë në të cilën gjendet sot arsimi ynë universitar. Nuk ka mundësi që të mos mendosh për gjendjen katastrofike të auditorëve dhe mbi të gjitha të procesit mësimor. Universiteti përgatit inteligjencën, formon brezat e të ardhmes në mënyrë që ata të jenë të aftë të mendojnë në mënyrë krijuese, kritike, të plotësojnë standardet profesionale dhe të jenë të gatshëm të integrohen në tregun e globalizuar. A i përmbushin universitetet tona këto kritere? Kush më mirë se studentët mund t’u përgjigjet këtyre pyetjeve? Çuditërisht edhe pse është grupi që lidhet direkt me pasojat e mësimdhënies, asnjëherë nuk i është kërkuar të vlerësojë procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Asnjëherë nuk është ndërmarrë një fushatë vlerësimi me ata mbi të cilët bien të gjitha pasojat e cilësisë së edukimit. Në fakt të gjithë jemi shumë të vetëdijshëm dhe megjithëse e dimë shumë mirë se çfarë po ndodh sot brenda institucioneve tona, përsëri përpiqemi që fajin t’ua lëmë të pafajshmëve, studentëve edhe pse në fakt ata janë viktimat e vërteta të edukimit të derisotëm.
Zgjedhjet po afrohen dhe trupa akademike ndodhet përpara dilemës a do të vazhdojë të përkrahë institucionet autokratike, abuzuese dhe fitimprurëse apo të gjithë bashkë do të vendosin të kthejnë tërësisht funksionin e universiteteve në vatra të dijes, drejt zhvillimit, edukimit cilësor dhe integrimit? Shikon se zgjedhjet do të zhvillohen ndërmjet dy grupeve. Në grupin e parë përfshihen ata që kanë drejtuar për dekada universitetet, të cilët në vend që të vihen përpara përgjegjësisë morale për maskaradën universitare të shkaktuar, vazhdojnë të sigurt rrugën drejt shkatërrimit të plotë të edukimit universitar, duke shpresuar poste drejtuese si autoritete të plotfuqishme akademike. Dhe nga ana tjetër grupi i dytë, ata që duan të shpëtojnë universitetin, që aspirojnë integrimin dhe përkrahin vizionin “Universitete cilësore, cilësi mësimdhënieje, zhvillim i kapaciteteve akademike dhe kërkim shkencor”. Grup i cili po operon në një ambient aspak mikpritës dhe të pushtuar nga hijet e frikës. Çfarë shikon në universitete? Klanin e vjetër të baronëve, të cilët vazhdojnë të drejtojnë çdo gjë duke penguar plotësisht zhvillimin e një fushate të ndershme dhe profesioniste. Shikon akademikë të frikësuar, të tërhequr, që nuk guxojnë të flasim. Duket sikur ‘favoret’ ose ‘detyrimet’, u janë ngulur në memorie dhe frika nga asgjë po u serviret si frikë për çdo gjë.
Zgjedhjet po afrohen dhe pyetja që do të shqetësonte çdo qytetar të ndershëm do të ishte: “Si do jetë e ardhmja e edukimit universitar?” Pa diskutim, kjo është plotësisht në dorën e akademikëve. Vendimi që ata do të marrin përpara kutisë së votimit do të jetë i lidhur direkt me të ardhmen e arsimit dhe vendit. A do pranojnë akademikët përsëri të performojnë nën kthetrat e paaftësisë, moskokëçarjes apo do zgjedhin rrugën drejt zhvillimit, rrugën e të qenit pjesë aktive dhe lidership në edukim, duke larguar një herë e mirë arturokratët e edukimit? Shpesh ankohemi për politikat dhe vendimet e politikanëve, duke harruar rolin tonë të fuqishëm në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë. Shpesh mendojmë për mrekulli kur në fakt ajo shpesh gjendet shumë afër nesh, ndoshta në dorën tonë. Shpesh harrojmë gjënë më të rëndësishme, nëse gjithsecili nga ne do të përmbushë detyrat qytetare, atëherë dhe shoqëria do të jetë më e shëndetshme dhe e ardhmja më e sigurt. Dhe sot më shumë se kurrë ndërgjegjja akademike do të marrë vendimin e saj mbi të ardhmen e vendit, mbi të ardhmen e shoqërisë dhe të sistemit universitar. Janë ata që me votën e tyre do të bëjnë diferencën dhe do të marrin rolin që u takon në edukim. Vërtet frika u ka lidhur këmbët më zinxhirët e fajësisë, por sot ata kanë mundësi të çlirohen dhe të kthehen në akademikë të përgjegjshëm. Sot më shumë se kurrë akademikët e vërtetë, me votën e tyre do të jenë pjesë e kthesës historike të universiteteve dhe edukimit universitar. Janë ata që do të firmosin me vetëdije të plotë intelektuale fillimin e një epoke të re në edukim. Kjo do të thotë përgjegjësi intelektuale, identitet, integritet. Të gjithë në këmbë për të mbrojtur universitetet tona!
*pedagoge
















