Bashkim Metalia
Ky film i shkurtër artistik i ka dhënë një dimension real problematikës, jetës dhe vlerës së familjes , ku shenjtërimit të saj duhet t’i shërohet plaga.
Lumturia nuk është e përhershme dhe si e tillë, jeta ka sprovat e veta që të vë në dilemë; a thua duhet ta jetojmë atë në copëza?
Padyshim ne jemi protagonist të mirëfilltë të roleve tona dhe ska duartrokitje nga lozha që të na tundojë të dalim nga ” skenari” i jetës sonë.
Dashuria është çelësi që hap bravat e lumturisë , paqja , mirëkuptimi dhe ndërveprimi i roleve të ndërsjella në shoqëri, është shumë, po po shumë e rëndësishme, në familje.
Kur e thëna se- “ Kombi fillon nga familja”, pa asnjë diskutim që dhe familja duhet të jet Atdheu i zemrës; këtu fillon dhe zhvillohet subjekti i (pa)lumturisë së romanit JETË.
Lumturohem dhe trishtohem në të njëjtën kohë kur e shoh dhe stërshoh “Ëndërr e venitur”, filmit me metrazh të shkurtër të publikuar së fundi dhe realizuar nga “The Albanian”
Lumturohem sepse komuniteti shqiptar në Mbretërinë e Madhe po gjallon më së miri në të gjitha fushat e jetës , biznes, art , kulturë etj.
Lumturohem po ashtu se përçimin e vlerave dhe traditave komunitare po e trumbetojnë me të madhe, ashtu sikurse i bie me të madhe trumbetës së alarmit të veseve, sjelljeve dhe veprimeve jo dinjitoze.
Trishtohem në të njëjtën kohë teksa shoh filmin i gjunjëzuar para kësaj ëndërre të keqe, pasi fenomeni po vërtitet disi shtruar dhe në mënyrë mjaft “moderne” dhe mesazhi që tejçon tek të gjithë ne, padyshim ka ndjeshmëri alarmuese.
Kalvari dhe peripecitë e jetës në emigracion dhe jo vetëm , ndoshta nuk na mundësojnë të kemi gjithçka ne duam, por vallë a është e mundur që të kemi një familje dhe plot copëza lumturie?
A është e mundur që të arrijmë një paqe me veten pikë së pari, dhe që ta përcjellim edhe tek bashkëshorti/ja, fëmija dhe shoqëria jonë?
“Ëndërr e venitur “ pa dashur për të hyrë thellë në filozofinë sociale, e përçoi më së miri mesazhin e saj.
Aktorët, Sokol Cahani, Endriona Deda, Ermir Lleshi dhe Alba Metalia, pjesëtarë të këtij komuniteti ku jetojmë, janë në lartësinë impresionuese në rolet e tyre .
Komunikimi i tyre me publikun nëpërmjet rolit ishte i qartë dhe domethënës.
Qartësisht shprehin profesionalizëm , flasin dhe bërtasin , pushojnë dhe punojnë, qeshin dhe lotojnë , dashurojnë dhe ëndërrojnë duke i dhënë aktrimit dhe artit të saj shije dhe pasion intelektual.
Sikundër që nuk ishte aspak e lehtë të realizohej skenari i kësaj drame sociale pasi çdo element i saj duhet të shprehej me një fjale, por me rrëke lotësh.
Por këmbëngulja e Drejtorit të TheAlbanian Z. Petrit Kucana duke qenë njëkohësisht regjisor dhe skenarist i filmit së bashku me aktorët e sipërpërmendur, konsulencës së Marsida Cekut dhe syrit të kamerës dhe montazhit të Arta Metollit , bënë që minuta dhe sekonda të këtij filmi të marrin jehonë jo vetëm në Britani por mbarë shqiptarinë.
Reagimet ndaj këtij filmi kanë qenë të shumta dhe të larmishme duke shprehur padyshim komente falënderuese dhe komente ndaj fenomenit. Qindra mijëra e kanë parë dhe ndarë me të tjerë po ashtu transmetuar në mediat kombëtare në Shqipëri.
“Lind pyetja kush ka të drejtë dhe kush është gabim – , një interpretim shume i bukur me një domethënie shumë të madhe, por një realitet i hidhur, …pash vetëm fillimin dhe mjafton me pa vedin tim tek zotëria dhe është shumë gabim..,…më ka pëlqyer subjekti dhe interpretimi. Vlen jo vetëm për emigrantët. Koha me familjen është koha më e çmuar për një jetë normale familjare“,- shprehen disa komentues mes qindra të tjerëve kur e kane parë videon e shpërndarë në media.
Ky film i shkurtër artistik i ka dhënë një dimension real problematikës, jetës dhe vlerës së familjes , ku shenjtërimit të saj duhet t’i shërohet plaga.
Nuancat dhe episodet e minutazhit janë simbioze e luhatjeve dhe kundërpeshës së një jete të qetë dhe produktive.
Prishja e këtij ekuilibri çon në shkatërrimin e familjes, çiftit dhe fëmijëve të cilët do jenë të dëmtuarit më të mëdhenj.
Rolet artistike janë thirrje shoqërore që burojnë nga shpirti i njeriut të mirë duke u përpjekur të godasin dukurinë që dëmton familjen dhe mbarëvatjen e saj.
Dhe padyshim “The Albanian” krahas rolit informues si media e shkruar ka kontribuar tashmë në dy dekada, ka realizuar dhe dy filma të tjerë sensibilizues ndaj problemeve të tjera shoqëro si bixhozi apo bota e krimit dhe e drogës.
Sidoqoftë dhe mbi të gjitha nëse i jetojmë dhe i përjetojmë ashtu si duhet copëzat e lumturisë sonë ashtu siç një familje me vlera i meriton , çelësi i suksesit është brenda nesh, e ka emrin kohë , e ka emrin dashuri dhe mbiemrin familje.
Paraqitjet skenike nuk do të mund të jenë më një “Ëndërr e venitur”, por e realizuar…





















