Marjana Zeneli BULKU
Me 6 janar pikërisht në datëlindjen e Fan S. Nolit në mjediset e Vatrës Panshqiptare në Nju Jork, u prezantua botimi më i fundit i studiuesit dhe diplomatit Mal Berisha (anëtar nderi i Vatrës) “Herman Bernstein, ambasador i SHBA në Shqipëri në vitet 1930-1933″.
Një vepër që ka ngjallur interes nga analistët dhe mediat e Tiranës nuk kishte se si të mos prezantohej pikërisht në ato mjedise që duan të mbajnë gjallë histori për të cilat historia shqiptare ka heshtur për 50 vjet. Në dhjetor të vitit 2014 ambasadori Mal Berisha pas një pune kërkimore nxori nga arkivat dhe solli nën dritën e botimit publikimin e parë mbi Bernstein duke ia prezantuar një audience mjaft të larmishme amerikano hebreje, por edhe shqiptaro-amerikane në mjediset e Yivo Institute for Historical research.
Pak vjet më vonë vjen edhe botimi i plotë, një studim tashmë i thelluar mbi jetën e Bernstein, antologjinë e veprës, letërkëmbimet, publikimet dhe deri tek diplomacia e tij, raportet me Tiranën e asaj kohe, rolin që mundet të luajë diplomacia aktive në kushtet e një vendi që përjeton kriza të njëpasnjëshme deri tek ato që vënë në pikëpyetje identitetin. Vepra më e fundit është në vazhdën e botimeve “Shqiptarët lisa mbi truallin ilir”, “Jeta e jashtëzakonshme e Charls Telford Ericksonit në Shqipëri”, “Realitete shqiptaro- britanike” e të tjera vepra që Shqipërinë e shohin me sytë e të huajve, sy që dinë ta dallojnë realitetin dhe që dinë ta duan dhe ta mbrojnë Shqipërinë në ditët e saj të vështira.
Në vatrën e ftohtë të 6 janarit 1018 nuk munguan vatranët e vjetër dhe të rinj që nga Agim Karagjozi ish-drejtues i Vatrës deri tek Andrra Berisha më e brishta dhe bukura ëndërr shqiptaro- amerikane. Nuk mund të mungonte mendimi i bazuar në fakte e dokumente nga studiuesi dhe ish-gazetari i Zërit të Amerikës zoti Idriz Lamaj, apo mendimi i hollësishëm i editorialistit të “Dielli”-it zotit Dalip Greca, por natyrshëm diplomacia kulturore që ambasadori Berisha aplikoi suksesshëm
në Londër funksionoi dhe në këtë rast përmes prezencës së tenorit kosovar Riad Ymeri, i cili “Fjalët e Qiririt” të kryerilindasit Naim Frashëri i solli me tingujt e Limoz Dizdarit duke i bërë ato mure të ftohtë veshur me foto shekullore të përjetojnë rilindje të vërteta me evokimet e veprës së Mal Berishës, fjalë të kryerilindasit Frashëri në ditëlindjen e Nolit
Një ambasador amerikan i viteve ‘30 në Shqipëri përmes një studimi të hollësishëm nga një prej ambasadorëve shqiptarë më të suksesshëm, i cili aplikoi me sukses gjatë shërbimit të tij diplomatik diplomacinë kulturore, historike, akademike duke lënë gjurmë aty, por janë veprat studimore e historike të zotit Mal Berisha që do lënë gjurmë historike mbi të shkuarën tonë të pashkruar. Pse autori rrëmoi në vitet më të ndritshme të historisë tonë për të cilat ajo vetë pak flet?!Nuk munguan as pyetje si këto dhe natyrshëm edhe falënderimet mirënjohëse të veprimtarit të spikatur zotit Harry Bajraktari.
Cilat janë analet burimore, dokumentet historike që shfrytëzon Berisha kur arkivat shqiptare nuk i shpëtuan dot kurrë tranzicioneve politike me bazë historike?!
YIVO INSTITUTE FOR HISTORICAL RESEARCH
Si një prezantim në mjediset e atij institucioni model të kujtesës, udhëtoi në kohë e u shndërrua në një dokument historik, trashëgim me vlerë për brezat.
Është pikërisht vepra “Herman Bernstein 1930-1933” që vjen në vëmendjen e lexuesit, studiuesit, diplomatit, shqiptarit që përmes punës së dy diplomatëve: Bernstein&Berisha ndriçon anët e panjohura të historisë tonë. Është një vepër ku kupton shumëçka, por mbi të gjitha pohon se Amerika e ka dashur shumë Shqipërinë dhe shqiptarët atyre viteve kjo duket në përmasën shumëdimensionale të ambasadorit amerikan në Shqipëri Bernstein.
Një studim i thelluar në antologjinë e veprës së Bernstein, historinë e jetës, raportet njerëzore me miq e bashkëpunëtorë ku theksohet ajo me mbretin Zog, dokumente, letërkëmbime, meditime çka e sjell të gjallë portretin human të atyre viteve në ditët tona përmes prezantimit të veprës nga ana e autorit, i cili nuk harron kurrë të ndalojë në vatër, pavarësisht angazhimeve dhe detyrimeve të tij profesionale dhe personale. Tashmë përkrah amerikanit të jashtëzakonshëm që e donte aq shumë Shqipërinë Charles Telford Erickson radhitet një tjetër amerikan, është Herman Bernstein.
Dhe natyrshëm më bren kureshtja cili do të jetë dashamirësi tjetër që di ta dojë Shqipërinë jo me fjalë, por me vepra dhe akte që na mësojnë çka na u mohua, ndriçojnë çka na u errësua dhe rrojnë përtej kohës së vet për sa kohë ka studiues që historinë dinë të na e sjellin të gjallë me çdo mjet, të vërtetë, argument dhe logjikë.
























