Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi u prit në takim nga Presidenti Bujar Nishani, në kuadër të vizitës së tij në Tiranë. Kreu i Shtetit vlerësoi krijimin e qeverisë së re të Kosovës, si vendimin me të drejtë dhe me të arsyeshëm për perspektivën e Kosovës dhe për partneritet me miqtë ndërkombëtarë dhe si një tregues të qartë të sfidave që sjell demokracia.
“Ky vendim i pjekur i lidershipit politik të Kosovës është një progres në konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe sovranitetin e Kosovës,” u shpreh Nishani. Presidenti vlerësoi kontributin e Zëvendëskryeministrit Thaçi për afirmimin e një imazhi me vlera pozitive të Kosovës në qendrat e diplomacisë botërore si dhe në trajtimin me maturi të sfidave të brendshme që kalon Kosova. Kreu i Shtetit nënvizoi karakterin strategjik të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën, të cilat synohet t’i shndërrojmë në marrëdhënie model në rajon, në përputhje me aspiratat tona për integrime në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Presidenti shprehu qëndrimin e tij për rëndësinë e shfrytëzimit më efektiv të infrastrukturës për krijimin e një tregu më të madh ekonomik rajonal, duke punuar me pjekuri në tejkalimin e të gjitha sfidave që mund të dalin përpara duke pasur si busull interesin kombëtar në integrimin e ekonomive tona. Nishani sugjeroi bashkëpunim më të ngushtë mes dy qeverive lidhur me diasporën shqiptare në botë si një pasuri e madhe e kombit tonë.
Presidenti e garantoi kryediplomatin e Kosovës për mbështetjen e institucioneve të Shqipërisë në rrugën euro-atlantike të Kosovës. Në vijim Thaçi falënderoi për kontributin dhe ndihmën e Presidentit Nishani në konsolidimin dhe çuarjen përpara të marrëdhënieve mes dy vendeve si dhe për përkrahjen dhënë Kosovës dhe institucioneve të saj.
















