Kreu i shtetit Bujar Nishani nisi sot vizitën e tij zyrtare në Slloveni, me një takim me komunitetin shqiptar atje. Gjatë takimit, Nishani vlerësoi angazhimin e shqiptarëve të Sllovenisë për ruajtjen e identitetit kulturor, traditave dhe gjuhës amtare.
Vizita e Nishanit në Sloveni i shërben forcimit të bashkëpunimit me Slloveninë, në kuadër të integrimit evropian e të realizimit të projekteve madhore rajonale si, Korridori Adriatiko-Jonian dhe gazsjellësi TAP.
Presidenti Nishani e çmoi përvojën pozitive të Sllovenisë si një shembull nga i cili vendi ynë mund të përfitojë shumë, dhe shtoi se vjen në këtë vizitë për të sjellë angazhimin e Shqipërisë për të çuar përpara marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Sllovenisë me fokus të veçantë marrëdhëniet ekonomike, të arsimit, shkencës dhe kulturës, si dhe për të garantuar se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv në shërbim të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon.
Më tej takimi vazhdoi në formën e një bashkëbisedimi të hapur për çështje të ndryshme mbi zhvillimet e brendshme në Shqipëri, zhvillimet në rajon dhe perspektivën e marrëdhënieve shqiptaro-sllovene.
















