“Tregu i punës do të jetë ai që do të selektojë diplomat e universiteteve private që u mbyllën, dhe jo Ministria e Arsimit dhe Sportit. Vendimi që u mor për heqjen e licensës së tyre, nuk do të thotë rishikim të diplomave të lëshuara nga këto institucione. ” Kjo ka qënë deklarata e ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla e cila tha se vlefshmërinë e këtyre diplomave do ta përcaktojë vetëm tregu i punës.
“Gjithë kjo situatë që lidhet me inspektimin dhe verifikimin e kritereve të ligjshmërisë. Pra, diplomat janë ato që janë, nuk është qeveria ajo që vendos standardet e tregut të punës, por është tregu i punës që ka standardet e veta. Pra, nuk ka asnjë lloj paragjykimi për diploma që janë marr deri më sot “, tha Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sportit.
Ministrja Nikolla u shpreh se vetëm një universitet privat vazhdon të mos dorëzojë dosjet e studentëve. Por ajo i ka siguruar të rinjtë se do të ndiqen të gjitha proceduarat ligjore që edhe ata të jenë në kohë për rregjistrimin në universitete.
“Kemi komunikuar edhe sy më sy në kuptimin e kërkimit të një gjuhe të përbashkët vetëm në emër të studentëve. Ligji është aty, ne po operojmë shpejt me ligjin, shteti pa dyshim me masat e veta dhe besojmë se do ta kapërcejmë, nuk ka asnjë rrezik edhe për dosjet e atyre studentëve”, tha Nikolla.
Këto deklarata ministrja e Arsimit i bëri gjatë një takimi me drejtues të universiteteve private në vend, të cilët i kanë plotësuar të gjitha kriteret për të qenë pjesë e sistemit të arsimit të lartë. Këta të fundit janë shprehur të gatshëm për të shtuar në radhët e studentëve të tyre edhe të rinjtë që do të vinë nga universitetet që u mbyllën.















