Drafti i Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Transporteve, për ashpërsimin e masave për shkelësit e Kodit Rrugor, deri në 10-fishimin e gjobave për ata që kalojnë semaforin me të kuqe, ka ngrirë në Kuvend. Pas kundërshtimeve të forta në katër komisione parlamentare, konkretisht nga Komisioni i Ligjeve, i Sigurisë, i Integrimit dhe Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, projektligji për disa ndryshime në Kodin Rrugor, është pezulluar. Drafti figuron në kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit, por prej një muaji, asnjë komision parlamentar, nuk ka vijuar me shqyrtimin. Pas shqyrtimit dhe miratimit të buxhetit të vitit 2015 dhe paketës fiskale, Kuvendi i është rikthyer veprimtarisë normale, por sërish, ndryshimet në Kodin Rrugor nuk po shqyrtohen. I fundit që diskutoi për Kodin Rrugor, ishte Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, i cili në seancën e fundit, la një afat 10-ditor, për Ministrinë e Brendshme dhe grupet e interesit, për t’u konsultuar për draftin, me qëllim për të sjellë një paketë me propozime të përbashkëta. Për, gjërat duket sa kanë ndryshuar, për shkak të numrit të madh të deputetëve që janë pozicionuar kundër. Sipas burimeve, kanë nisur konsultimet për një Kod të ri Rrugor, për t’u dhënë fund arnimeve të njëpasnjëshme. Kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Eduart Shalsi, ka nisur konsultimet me ekspertët dhe grupet e interesit, për të hartuar një Kod të ri Rrugor, pas qëndrimit kundër të mbi 20 deputetëve, për arnimin e Kodit aktual, nga disa nisma dhe amendamente të Ministrisë së Mbrojtjes. Por, ky proces kërkon një kohë të gjatë dhe konsultime të shumta, për të hartuar një ligj, që t’i përgjigjet sfidave të kohës dhe zhvillimeve teknologjike. Nga ana tjetër, Kuvendi pritet të mbyllë sesionin parlamentar në datën 18 dhjetor, çdo do të thotë se gjithçka do të shtyhet për vitin 2015. Mbyllja e punimeve Kuvendi pritet t’i mbyllë punimet për vitin 2014 me 18 dhjetor, kur edhe është përcaktuar të mbahet seanca e fundit e këtij sesioni. Gjatë kësaj periudhe, komisionet kuvendore do të duhet të shqyrtojnë një serë nismash të planifikuara për t’u votuar në tre seancat e ardhshme. Në listën e projektligjeve të depozituara në Kuvend janë ai për procedurat tatimore, që parashikon thjeshtim procedurash dhe përcakton fondin e shpërblimit për tatimorët. Po ashtu, për t’u shqyrtuar e miratuar është edhe marrëveshja e kredisë me Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim për sektorin e energjisë dhe projektligji për vlefshmërinë e titujve të pronësisë për tokat bujqësore. Një projektligj tjetër është edhe ai që thjeshton procedurat e nënshkrimit të marrëveshjeve të huamarrjes për Ministrinë e Financave, ku Kuvendit i hiqet kompetenca e miratimit të çdo marrëveshje huaje që është në përputhje me nivelin e borxhit publik të përcaktuar në buxhetin e shtetit.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















