Nexhmije Hoxha pohoi dje për “Gazeta Shqiptare” se nuk është dekoruar nga qeveria me “Medaljen e Mirënjohjes”. E veja e diktatorit komunist, edhe pse vijon ta cilësojë veten veterane lufte deklaron me arrogancë se as nuk pret që kontributet e dhëna sipas saj gjatë luftës partizane t’i vlerësohen nga kjo qeveri. Ajo thotë për “GSH” se edhe në rastin se do t’i akordohej një “Medalje Mirënjohjeje”, do ta refuzonte. “Nuk jam dekoruar. Nuk kam marrë asnjë medalje. Madje dhe po të ma jepnin nuk do ta pranoja, do ta refuzoja e do ta ktheja mbrapsht”, – është shprehur për “GSH” e veja e diktatorit komunist. “Të më falni por nga ky moment nuk jam më gati t’i përgjigjem asnjë pyetje tjetër”, – ka përfunduar bisedën telefonike Nexhmije Hoxha.
Lajmi i botuar pak ditë më parë në “GSH” se ish-anëtarja e Komitetit Qendror të PPSH-së, Vito Kapo është dekoruar nga qeveria me “Medaljen e Mirënjohjes” për kontributin e dhënë në Luftën Nacional-Çlirimtare i ktheu “prozhektorët” e medias tek bashkëshortja e Enver Hoxhës, një nga figurat më të urryera të regjimit komunist. Qëndrimi stoik i ministrisë së Mbrojtjes për të mos bërë transparente listën e 1000 veteranëve të nderuar me “Medaljen e Mirënjohjes” shtoi dyshimet se pjesë e kësaj liste mund të ishte edhe e veja e diktatorit, e cila në fakt i plotëson kriteret ligjore në fuqi për t’u cilësuar si veterane lufte. “Janë dhënë medalje vetëm për veteranët e mbetur gjallë të kategorisë ‘A’ dhe kategorisë së Parë. Gjithçka është vendosur nga një komision i cili ka bërë shqyrtimin e detajuar të personave që duhet të merrnin medalje. Listën nuk e bën ministri”, – thuhet në reagimin e vetëm zyrtar që ministria e Mbrojtjes ka dhënë për “GSH”. Referuar këtij sqarimi Nexhmije Hoxha rrjedhimisht u mendua ta ketë marrë “Medaljen e Mirënjohjes”. Por ajo pohoi dje se kjo nuk është e vërtetë. “Gazeta Shqiptare” i ka kërkuar prej dy javësh ministrisë së Mbrojtjes vënien në dispozicion të listës së emrave por përgjigjia vijon të mbetet: “nuk e japim”.
VITO KAPO
Ish-anëtarja e Komitetit Qendror të PPSH-së, Vito Kapo është dekoruar nga qeveria me “Medaljen e Mirënjohjes” për kontributin si pjesëmarrëse në luftën për Çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë. Lajmi u pohua pak ditë më parë për “Gazeta Shqiptare” nga e veja e Hysni Kapos, ish-udhëheqësit të lartë komunist, e cila falenderon hapur ekzekutivin e në veçanti ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli për vlerësimin. “Më në fund dikush u kujtua edhe për ne. Padyshim ndihem shumë e gëzuar dhe gjej rastin nëpërmjet kësaj mundësie që më jepni ju që të falenderoj qeverinë dhe në veçanti ministren e Mbrojtjes”, – shprehet Vito Kapo, ish-ministre e Industrisë së Lehtë në kohën e Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë.
Dekorimi i saj është bërë pa bujë. Madje siç pohon edhe vetë Kapo, “Medalja e Mirënjohjes”, i është dërguar në shtëpi me postë, pa ndonjë ceremoni zyrtare. Qeveria është kujdesur për të nderuar “në heshtje” një prej figurave kryesore të diktaturës komuniste, ndoshta në tentativë për të shmangur akuzat se po rehabiliton ish-drejtuesit e PPSH-së. Por përpjekja për të mbajtur sekret dekorimin e Vito Kapos nuk e zbeh aspak faktin se tanimë kemi të bëjmë me të parin akt zyrtar të qeverisë në drejtim të vlerësimit të figurave kryesore të diktaturës komuniste për kontrubin e dhënë gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare. E veja e Hysni Kapos, e cila për 35 vite me rradhë ishte Sekretarja e Parë e Bashkimit të Grave të Shqipërisë mund të mos jetë e vetmja ndër ish-drejtuesit e PPSH-së të dekoruar nga qeveria. Sikundër është bërë publike me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të atdheut janë dhënë 1000 “Medalje Mirënjohjeje”.















