Duke iu referuar raportit të Senatit Amerikan për torturat e CIA-s, ku përmendet edhe Shqipëria, ish-kryeministri Sali Berisha thekson se në vendin tonë nuk kanë ekzistuar asnjëherë burgje nën administrimin e Agjencisë Qendrore të Zbulimit të SHBA.
Në një reagim në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ish-kryeministri sqaron se Shqipëria ka patur dhe ka një bashkëpunim të ngushtë dhe të suksesshëm me CIA-n në luftën kundër terrorizmit”.
“Këto ditë Kongresi i SHBA ka botuar një raport me të dhëna mbi abuzimet me të drejtat e njeriut, torturat e CIA-s (Agjencia Qendrore e Zbulimit të SHBA) gjatë hetimit dhe pyetjeve të saj, ndaj të dyshuarve për veprimtari terroriste. Në këtë raport, në mënyrë jo të qartë përmendet dhe Shqipëria. Duke dënuar pa ekuivok çdo lloj torture ndaj cilitdo, theksoj me këtë rast se: Shqipëria ka patur dhe ka një bashkëpunim të ngushtë dhe të suksesshëm me CIA, në luftën kundër terrorizmit. Për periudhën pas vitit 2005, periudha e ardhjes së PD në pushtet, çdo bashkëpunim, në çdo operacion me këtë organizatë partnere ka patur si kusht sine qua non mos përdorimin e torturës. Shtoj këtu se kjo nuk është kërkuar asnjëherë nga kjo agjenci. Unë jam i bindur se gjatë këtij bashkëpunimi ky kusht është respektuar plotësisht. Nuk kam dijeni të plotë për operacionet para shtatorit të vitit 2005, por në dijeninë time në Shqipëri nuk kanë ekzistuar asnjëherë burgje në administrimin e CIA. Shqipëria para dhe pas 2005 ka lejuar fluturime të avionëve të CIA, një organizatë legale kjo e aleatit tonë kryesor, me kontribute thelbësore në luftën kundër terrorizmit, sistemit komunist dhe rreziqeve të tjera të paqes në botë.”- shkruan Berisha.
Sipas raportit të Senatit Amerikan, CIA është ndihmuar edhe nga vende të tjera, për të realizuar procesin e marrjes në pyetje me anë të torturave të personave të dyshuar si terroristë, dhe në listën e këtyre vendeve përfshihet edhe Shqipëria.















