Ministria e Energjetikës e Shqipërisë dhe kompania shtetërore kineze Power China kanë nënshkruar një “Memorandum Bashkëpunimi”, në Pekin.
Memorandumi u nënshkrua midis ministrit të Energjetikës Damian Gjiknuri dhe z. Zhang Jianyue, drejtor ekzekutiv i kompanisë Power China Chengdu Engineering Corporation Limited.
Presidenti i Grupit të Ndërtimit dhe Bashkëpunimit i Power China, Ma Zonglin, ishte gjithashtu në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit.
Për këtë marrëveshje është punuar për rreth gjashtë muaj. Delegacioni i qeverisë shqiptare që firmosi memorandumin, kryesohet nga kryeministri Edi Rama, i cili sot (e mërkurë) takoi homologun kinez Li Keqiang. Memorandumi i nënshkruar ishte në fokus së bisedës së dy kryeministrave të mërkurën, të cilët dhanë mbështetje për zbatimin sa më parë të tij.
Power China zotëron 50 për qind të tregut botëror të hidroenergjisë, e listuar me AAA.
Ky ishte një takim i rëndësishëm i delegacionit të qeverisë shqiptare dhe drejtuesve ekzekutivë të kompanive të mëdha shtetërore kineze, mes tyre përveç Power China edhe Sino Sure dhe China Development Bank.
Të martën në mbrëmje Power China priti delegacionin qeveritar shqiptar të kryesuar nga kryeministri Edi Rama. Kompania dërgoi delegacionin të udhëtonte me trenin e shpejtësisë së lartë të linjës Pekin – Tianjin. Kjo hekurudhë është ndërtuar nga Power China.















