Ndrecë Dodaj
Teksa dëgjoja kryeministrin, Edi Ramën dhe ministren e Arsimit, Lindita Nikollën, kur flisnin për arsimin dhe reformat rreth tij, më erdhi mirë që më në fund po vihet një dorë e mirë në këtë sektor kaq të rëndësishëm për vendin, edhe pse vonë. Për të shkruar këto pak rreshta më nxiti një intervistë për reformat në arsim, e Dr. Ndriçim Mehmetit, dhënë në një televizion. Në fakt, nuk e kuptova mirë se çfarë po mbronte z. Mehmeti në atë intervistë, mësuesit, që me punën e tyre të palodhur gëzojnë respektin e prindërve dhe të nxënësve, apo të ashtuquajturit mësues, që padrejtësisht janë punësuar në sektorin e arsimin, pasi nuk kanë kualifikimet përkatëse.
Është vërtet fatkeqësi, që në vitin 2014, të punojnë rreth 4 mijë mësues pa arsimin përkatës, ose jashtë profilit të arsimimit të tyre. Duhet ta pranojmë realisht, se gjatë këtyre viteve të fundit, janë punësuar shumë mësues të tjerë, të cilët nuk i kanë kualifikimet e duhura, ose kanë marrë diploma të pamerituara. Të marrësh diplomë pa e merituar, është njësoj sikur të mos e kesh arsimin përkatës. Nuk mund të imagjinohet që të punojë një njeri si mësues në ciklin e ulët, i cili i ka kryer studimet pa qenë prezent në auditorët e fakultetit. Nuk e kuptoj se si mund ta quajë veten Doktor Shkencash, z. Ndriçim, nëse i merr në mbrojtje këta lloj mësuesish, duke ua qarë hallin se do të mbeten pa punë! Këta mësues i kanë bërë një dëm të madh cilësisë së arsimit, dëm do të rëndojë mbi shoqërinë tonë.
Ndaj mendoj se në sektorin e arsimit duhen bërë urgjentisht reforma radikale. Është absurde që në disa zona të thella të Shqipërisë, mbahen akoma në këmbë shkolla me 1-2 nxënës. Po kaq e turpshme është që në këto zona ekzistojnë shkolla me mësues që nuk kanë arsimin përkatës. Këto lloj shkollash mbahen në këmbë vetëm për të emëruar militantë partiakë në punë. Ka plot shkolla që kalueshmëria është shumë e ulet. Në kontrast me këtë, kemi Tiranën. Në zonën e Unazës së Re mungojnë shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme. Pra kemi një panoramë absurde, aty ku duhen shkollat, ato mungojnë, dhe atje ku nuk duhen ekzistojnë me 1-2 nxënës. Kjo tregon se vitet e fundit nuk është punuar me perspektivë në fushën e arsimit.
Teksa dëgjoja kryeministrin dhe ministren e Arsimit të flisnin për reformat në arsim, ndjeva kënaqësi, pasi në vendin tonë shumë gjëra janë bërë keq. Madje, do të thosha se në fushën e arsimit janë bërë edhe krime. Për arsye politike, DAR-et dhe Zyrat Arsimore, i kanë kthyer shkollat dhe qendrat kulturore në vende punësimi për militantët. Ndaj mendoj se testimet për mësuesin duhen bërë dhe në mënyrë të rreptë. Duhet urgjentisht të largohen mësuesit që punojnë jashtë profilit dhe ata që nuk e kanë arsimin përkatës. Emërimet në arsim duhet të bëhen transparente, ashtu sikurse ka nisur t’i bëjë Ministria e Arsimit tashmë. Ky është një sinjal mjaft i mirë. Arsimi duhet të shkojë në rrugën e duhur.
















