The Albanian
Një ftesë nga ambasada shqiptare në Londër për festimin e Ditës së Flamurit, të ngjall sadopak shpresë për rivendosjen e marrëdhënieve normale mes shtetit shqiptar dhe një dikasteri shumë të rëndësishëm që e përfaqëson atë, ambasadës.
Pas një “ngrirje” afro dy vjeçare, duke se shteti akordoi një fond për këtë festë e cila prej dy vitesh mungoi në versionin zyrtar, por që me angazhimin e ish-ambasadorit Mal Berisha dhe kontributin e disa shqiptarëve të këtushëm, mori një parametër tjetër e fokusuar në aspektin artistik me prezantimin fantastik të “Notes on Albanian”, edicione që shpresohet se do të vazhdojnë.
Por përveç kësaj feste nuk duket asnjë shenjë tjetër sado e zbehtë, që Shqipëria do të përfaqësohet denjësisht në një ndër shtetet më të fuqishme të botës siç është Britania e Madhe.
Pikërisht në këtë shtet ambasada vazhdon të funksionojë me “të ngarkuar me punë” pasi duket se akoma nuk i kanë “ndarë hesapet” forcat qeverisëse për të caktuar një ambasador. Si të mos mjaftojë kjo do të ishte lehtësisht e dallueshme mos përfaqësimi dinjitoz, nëse do t’i hedhësh një sy faqes zyrtare të ambasadës.
Prej kohësh vazhdon të jetë e pafunksionueshme… Pra institucioni që përfaqëson shtetin shqiptar nuk ka një faqe interneti. Nëse lundron për të parë andej nga Ministria e Jashtme, vëren se një web tjetër është krijuar për ambasadën, por akoma nuk është përditësuar. Sipas atij webi vazhdon të jetë akoma ambasador z.Mal Berisha.
Natyrisht që do të ishte e pakontestueshme për shumë miq britanikë, që padashur kanë tentuar të lundrojnë në këtë faqe, nëse do t’u duhej ndonjë informacion. Që ambasada të mos ketë faqe interneti është e pabesueshme edhe tek ato OJQ-të e këputura, por ja që ndodh. Numri i telefonit për raste emergjence nuk figuron asgjëkundi. Nuk dihet nëse rruga e “lobimit privat” që është zgjedhur deri tani do të ndryshojë, por më kryesorja mbetet përfaqësimi dinjitoz i shtetit shqiptar në një nga vendet më të fuqishme të botës.
Kur shteti shqiptar nuk ka një web a mund të flitet për investitorë të huaj apo qoftë edhe për turistë? Kushedi sa kohë do i duhet të “Rilindë” ambasada shqiptare në Londër.















