Nga Agim Vinca
“Njeriu me veladon”, që poezinë e qan dhe e këndon
Sa më shumë që e njoh poezinë, aq më shumë e dua Mjedën si poet. Ndre Mjeda është artist. Ai e gdhend fjalën me daltë, tamam ashtu siç thoshte Shuteriqi në sonetin e tij me titull Mjedës, të shkruar në vitin 1958, plot 56 vjet më parë: “Ta dua strofën, që punon me daltë,/ si gdhendësi i palodhur rreh mermerë,/ Ta dua vjershën mbushur drit’ e erë/ lulesh, burimesh e qiejsh të qartë”.
Mjeda është poet e jo vjershëtar. Ai i dallon këto dy nocione. Poeti është krijues, vjershëtari vargëzues. Në sprovën e tij Përmbi poezi përgjithësisht, Mjeda shkruan: “Disa (…) tue folë për poezi kujtojnë se masa (metri) asht nji gja e domosdoshme për poezi. Por ka shprehje të lidhuna me masë, me rroke, theksa e rrima që s’mund të thohen përnjimend poezi; auktorët e tyne munden me u thanë vjershatarë, por jo poetë”, duke shtuar se“gjithkush e ndien se pos masës lypset diçka tjetër për me ba poezin: përftimi poetik”.
I vetëdijshëm se poezia nuk është metrikë, por krijim gjuhësor artistik, Mjeda e gdhend vargun, strofën, vjershën, por nuk e privon atë nga ndjenja, figura dhe mendimi, me një fjalë nga “përftimi poetik”.
Mjafton të kujtojmë krijimet e tij kulmore poetike si: poemat Vaji i bylbylit, I tretuni dhe Andrra e jetës, poezitë I mbetuni, Shtegtari, Malli për atdhe dhe Mustaf Pasha në Babunë, ciklet sonetike me temë historike: Lissus, Scodra dhe Lirija etj., për t’u bindur se vargu mjedian ka emocionin e fuqishëm, por edhe veshjen e duhur artistike ose, siç do të thoshte vetë poeti: buron prej “tugës së zemrës” dhe prej “fuqis së përfytyrimit”.
Duke dashur ta konkretizoj këtë pohim, qoftë dhe shkarazi, më lejoni të citoj disa vargje e strofa nga poezitë e Mjedës.
Janë bërë proverbiale vargjet e tij nga Vaji i bylbylit (1887): “Bylbyl, ky shekull or’e ças ndrrohet:/ Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet”, që shprehin shpresën e ndryshimeve në shoqëri, si dhe ato të poemthit I tretuni: “Po kjo gjamë qi ban natyra,/ Kjo duhi qi s’ka pushim;/ E ksaj zemrës a pasqyra/ A pasqyra e shpirtit tim”, ku gjendja shpirtërore e poetit, përkatësisht heroit lirik, korrespondon me gjëmën e natyrës, si veçori tipike e poezisë romantike.
Verbi poetik i Mjedës di të jetë elegjiak e patriotik, por edhe fshikullues e sarkastik, kur e kërkon tema dhe subjekti poetik: “Del, mizuer, këndenaj, del; prej mërzijet/ Zgaq i përbuzshem, Shqypnija t’volli:/ Ty shpina e detit, ty, vend robnijet,/ T’pret Anadolli”, si shprehet poeti në strofën përmbyllëse të vjershës Mustaf Pasha në Babunë.
Vargjet si këto, të bukura e kuptimplote, te Mjeda janë të shumta, por, për të mos u zgjatur shumë, më lejoni të citoj dhe komentoj shkurtimisht vetëm edhe dy strofa nga vjersha Gjuha shqype. Këtë poezi, të shkruar në vitin 1892 në Krakovë të Polonisë, që i kushtohet albanologut të njohur gjerman Gustav Majer, Mjeda e mbyll me vargjet në të cilat mallkon të gjithë ata që përçajnë kombin shqiptar, njerëzit që flasin një gjuhë e që kanë një gjak, “me fjalë e shkrime”: “Kjoftë mallkue kush qet ngatrime/ Nder kta vllazen shoq me shoq:/ Kush e dan me fjal’ e shkrime/ Ça natyra vetë përpoq”.
Kanë kaluar më se njëqind vjet nga koha kur janë shkruar këto vargje, por ato tingëllojnë aktuale si të ishin shkruar sot. Ndërgjegjja e poetit nuk e pranon ndarjen mbi baza fetare, krahinore, dialektore etj. Për Mjedën gjuha shqipe është një nga vlerat më të mëdha të kombit dhe një nga faktorët më të fortë integrues të tij: “Geg’ e Toskë, Malci, jallija/ Janë nji komb, m’u da s’duron:/ Fund e maje nji a Shqypnija,/ E nji gjuhë t’gjith na bashkon”.
Rilindësit tanë zhvilluan një luftë të madhe kundër përçarjeve krahinore, fetare e të tjera, duke vënë në plan të parë ndjenjën e përbashkësisë kombëtare, që ishte ideal i tyre. Nga ky aspekt, Mjeda mund të shërbejë si model jo vetëm në poezi, por edhe në jetë.
Për të hedhur dritë sadopak mbi këtë aspekt të figurës së tij – përkushtimin atdhetar, po sjellim një fakt jo shumë të njohur, por shumë domethënës.
Mjeda ishte, siç dihet, delegat i Kongresit të Manastirit si përfaqësues i Shoqërisë “Agimi” të Shkodrës, të cilën e drejtonte. Në Kongresin e Manastirit konkurronin tre alfabete për alfabet gjithëkombëtar, që të tre me bazë latine: alfabeti i Stambollit, alfabeti i Shoqërisë “Bashkimi” dhe alfabeti i Shoqërisë “Agimi”, por ndërsa i pari dhe i treti ndiqnin kriterin: një tingull – një shenjë grafike, i dyti ndiqte kriterin e shkronjave të kombinuara dyshe (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe në dy raste (ç dhe ë) edhe me shenja diakritike. Kjo do të thotë se në fillimet e punimeve të Kongresit mbizotëronin tri rryma: ajo e alfabetit të Stambollit, që kryesohej nga Mid’hat Frashëri, i cili edhe u zgjodh kryetar i Kongresit dhe e shoqërive “Bashkimi” e “Agimi” të Shkodrës, që kryesoheshin nga Fishta dhe Mjeda. Secila palë kishte arsyet dhe argumentet e veta.
Mjeda ishte ndër delegatët më të ditur në Kongres, nëse jo më i dituri, sidomos në punë të gjuhësisë; ai ishte edhe gjuhëtar, por duke parë se suksesi i Kongresit po rrezikohej, e tërhoqi variantin e vet të alfabetit dhe i la mundësinë Komisionit 11-anëtarësh, pjesëtar i të cilit ishte edhe vetë, që të zgjidhte njërin nga dy variantet e tjera.(1)
Kundërshtarët e tij nga radhët e klerit katolik (abati i Mirditës, Preng Doçi dhe ipeshkvi i Sapës, Jak Serreqi), në raportet e tyre drejtuar Vatikanit, e quanin Mjedën “prift zevzek” (2) por kjo nuk është e vërtetë. Mjeda ishte krenar, por jo zevzek. Po të ishte i tillë, nuk do të hiqte dorë nga alfabeti i tij në kohën kur vendosej fati i alfabetit shqip dhe nuk do të bashkëpunonte me anëtarët e tjerë të Komisionit për zgjidhjen e drejtë të problemit. Është pikërisht ajo që refuzojnë ta bëjnë shqiptarët, me ndonjë përjashtim të rrallë, dje dhe sot: të heqin dorë nga “kauza” e tyre personale ose edhe partiake për hir të kauzës kombëtare. Mjeda bëri të kundërtën në vitin 1908, në tubimin që zgjidhi çështjen e alfabetit shqip, të quajtur ndryshe edhe “Kongresi i Abesë”, duke dëshmuar se interesi kombëtar ishte për të përmbi sedrën dhe interesin personal.
Në përfundim të punimeve të Kongresit, dy nga figurat më të rëndësishme të tij, Mjeda dhe Fishta, të ekzaltuar nga bashkimi që u arrit, shkruan nga një vjershë të improvizuar në formë soneti:Anderr dhe Tingllim, që i nënshkruan me pseudonimet: Shqyptari dhe Fushk n’dushk, të cilat u botuan në janar të vitit vijues, 1909, te revista “Diturija” e Sofjes dhe te gazeta “Lirija” e Selanikut. (3)Të dyja këto vjersha u shkruan me alfabetin e Stambollit, që kishte traditë më të gjatë se dy të tjerët. E para, e Mjedës, është simbolike (Shqyptaria e përfytyrur në formën e nënës dhe të motrës, e cila i fanitet si ëndërr subjektit lirik), kurse e dyta, e Fishtës, satirike (nëpërmjet thënies popullore të vënë si moto mbi qentë, që, pavarësisht nga ngjyra, janë bij të bushtrës dhe situatës së imagjinuar të shitjes së djajve në thes, poeti aludon te karakteri i njëjtë, djallëzor, i “turqve të vjetër” dhe “turqve të rinj”), por nga pikëpamja artistike vjersha e Mjedës qëndron më lart se ajo e Fishtës. Dhe është e çuditshme se përse Mjeda nuk e përfshiu këtë poezi te vëllimi i tij poetikJuvenilia, që u botua në vitin 1917.
Mjeda meriton të nderohet dhe përkujtohet në çdo kohë, me e pa shkas, sepse vepra e tij letrare dhe kombëtare është e madhe dhe me vlerë të përhershme.
Ky takim kushtuar Mjedës, këtu në Kukël, ku ai shërbeu si famullitar plot 30 vjet, duke u bërë prijës i vërtetë shpirtëror i banorëve të tij, le të jetë, prandaj, një homazh për poetin dhe atdhetarin e madh Dom Ndre Mjeda. (4) Mjeda ishte prift dhe poet, me “P” të madhe. Me një fjalë, “njeriu me veladon”, që poezinë e qan dhe e këndon. Shqip dhe shqiptarisht!
***(Fjalë e mbajtur në shënimin e 148-vjetorit të lindjes së Mjedës, në Kukël të Shkodrës, më 22 nëntor 2014)
(1)Më se pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë (8 qershor), ende nuk mund të formohet qeveria, sepse asnjëri nga liderët partiakë nuk lëshon pe.
(2) Mentor Quku, Mjeda 3, “Ilar”, Tiranë 2007, f. 372.
(3) Po aty, f. 551.
(4)Studiuesi Mentor Quku, autor i serisë prej dhjetë librash për Mjedën (Mjeda 1-10), lindi në Bilisht, Korçë, më 20 janar 1939 dhe vdiq në Shkodër, më 1 qeshro 2014.


















