Eduard Ndocaj, kandidati i PS në zgjedhjet e 23 qershorit për rrethin e Lezhës, ka publikuar të tjera fakte për të vërtetuar shpenzimet marramendëse që ai thotë se ka bërë për kupolën e PS. Faturat, sipas tij, arrijnë në 600 milionë lekë, para që ai thotë se i ka shpenzuar “me shpresën se do të sillnin diçka të mirë për qytetarët e Lezhës”. PS e Lezhës dhe njëri nga deputetët e saj, Arben Ndoka, reaguan duke i përgënjeshtruar deklaratat e tij dhe duke thënë se Ndocaj nuk ka qenë asnjëherë anëtar i PS. Ndocaj në fakt e braktisi PS –në pak kohë më parë. Publikisht i quajti drejtuesit e saj të pabesë, sepse nuk kanë mbajtur asnjë premtim që i është bërë elektoratit.
Sot ai ka publikuar disa foto në një drekë, në Milano, me kryetarin e PS, Edi Ramën, në fushatën e 23 qershorit dhe disa deputetë, si Taulant Balla, Arben Ahmetaj, Blendi Klosi e Artan Gaçi. Vetëm kjo faturë, sipas tij, i ka kushtuar 8 mijë euro.




“Koha ikën, por faktet mbeten fakte. Njeriu më i ligë për ne veriorët pas atij që shkel amanetin është bukëshkali, ai që i hanë bukën dikujt dhe pastaj e pret në besë pas shpine. Kjo mund të thuhet për Ramën dhe drejtuesit kryesorë të PS. Në këto foto janë edhe njerëzit që i rrinin mbrapa në atë kohë Ramës, ai i quante stafi i tij, por shumica prej tyre nuk kishin as lekë për bileta. Kjo drekë e ofruar nga unë (vëllezërit Ndocaj) ka kushtuar 8 mijë euro. Ky është vetëm ajsbergu I kontributit tim për PS e Ramën, të cilën dolën bukëshkelës,” shkruan ai në faqen e tij në Facebook.
Pas deklaratës së PS në Lezhë se ai nuk ka qenë pjesë e anëtarësisë, Ndocaj tha se atij i ishte kërkuar nga PS që të sponsorizonte në fushatë, “për t’i bërë ballë LSI –së, e cila erdhi me thasë me para të pista”.
Sipas Ndocajt, për të gjitha shpenzimet e tij ka qenë në dijeni edhe kryesuesja e listës së PS –së në Lezhë, Mimi Kodheli, për të cilën ai thotë se ajo ka qenë përfituese direkte e këtyre parave.


















