Shoqata e Ndërtuesve thotë se miratimi i planeve urbanistikë është mënyra që sektori i ndërtimeve të dalë nga kriza
Shoqata e Ndërtuesve në Shqipëri i bëri thirrje qeverisë së kryeministrit socialist Edi Rama që të miratojë pa vonesë planet urbanistikë.
Maksim Muçi, Drejtor Ekzekutiv dhe Avenir Kika, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës diskutuan në Komisionin e Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin për ligjin e ri të urbanistikës.
Ndërtuesit thonë se miratimi i planeve urbanistikë është mënyra që sektori i ndërtimeve të dalë nga kriza.
Zoti Muçi tha se në mënyrë më konkrete duke thënë që ligji është i vështirë, “ngulim këmbë të shtrëngohet puna për përgatitjen e planeve”.
“Me afatet që janë vënë këtu, ku thuhet se ngarkohet Këshilli i Ministrave të miratojë Planin e Përgjithshëm Lombëtar jo më larg se 20 muaj nga data e fillimit të efekteve të plota të këtij ligji, ne propozojmë të bëhet 10 muaj”-u citua drejtori Muçi nga ATSH-ja.
Ai kërkoi gjithashtu që t’u hiqet licenca çdo subjekti që ndërton pa leje apo bën shtesa pa leje dhe abuzon me ligjin.
Kurse zoti Kika tha se në Shqipëri duhet të marrë fund procesi i ndërtimeve pa leje, “përmes masave drastike”:
“Kush ndërton t’i shembet automatikisht pa e zhvilluar atë. Kush ndërton pa leje t’u hiqet licenca”.
Sipas ATSH-së, ndërtuesit kërkuan vendosjen e eurokodeve ose siç njihen standardet në ndërtim pasi ato ekzistueset janë shumë të vjetra.
Kryekomisioneri Eduard Shalsi, deputet i Partisë Socialiste, vërejti se në sektorin e ndërtimtarisë “është krijuar një kaos i vërtetë”:
“Tani duhet të sigurojmë të krijojmë mekanizma të qartë mbi zhvillimin e territorit dhe objekteve”.
















