Përtej organizimeve zyrtare dhe koncertit në sheshin “Nënë Tereza”, organizime këto që kishin një orar të përcaktuar dhe të organizuar nga institucione të ndryshme, të rinjtë e Tiranës, ashtu si gjithnjë, e zbardhën “Natën e Bardhë” nëpër klubet e natës. As shiu dhe as gjobat e makinave nuk i ndalën ata, që ta shijojnë këtë “29 Nëntor”, deri në fund nën ritmet e muzikës apo edhe të alkoolit. Ashtu sikurse është bërë tashmë zakon, “Nata e Bardhë” ka dalë nga konceptimi fillestar dhe është “privatizuar” nga bizneset, që si gjithmonë edhe këtë vit ishin organizuar me evente speciale, enkas për të tërhequr sa më shumë të rinj. Pavarësisht kësaj duhet thënë se, policia bëri detyrën duke mbajtur çdo situatë nën kontroll, si jashtë klubeve, ashtu edhe nëpër rrugët e kryeqytetit. Aktivitetet e lajmëruara nga klubet më të frekuentuara të Tiranës edhe këtë vit përgjithësisht fokusoheshin nën muzikën e DJve si: Abel DJ, DJ Sardi, DJ Aldo, Adam Reeves dhe shumë të tjerë.
“Një shfaqje që ja vlente për t’u ndjekur, edhe pse nuk kishte lidhje me ‘Natën e Bardhë’”
Por pikërisht për t’iu larguar kësaj muzike, por jo zakonit, Ermiri dhe Stela, dy të rinj të kryeqytetit, tregojnë se zgjodhën ta kalonin këtë mbrëmje në një restorant buzë autostradës Tiranë- Durrës. E veçanta që i largoi ata nga klubet më të frekuentuara ishte pikërisht muzika, festimi ndryshe, por edhe siguria se nuk do kishin sepse të shqetësoheshin për vend-parkimi, apo edhe për të zakonshmen dilemë, që hasin të rinjtë e kryeqytetit përpara se të dalin: “A do ketë vend?”. Ermiri dhe Stela përtej muzikës moderne, zgjodhën diçka ndryshe, diçka më origjinale, më shqiptare. Ata zgjodhën të ndiqnin live këngëtarët e mirënjohur: Sidrit Bejleri, Juliana Pasha, Olta Boka dhe Kejsi Tola në një shfaqje, që sikurse thonë edhe ata vetë: Ja vlente për t’u ndjekur, edhe pse nuk kishte lidhje me “Natën e Bardhë”. Nën një organizim të titulluar “Nëntori, muaji i festës së traditës shqiptare” ky restorant, i cili më saktësisht është një resort, kishte ideuar diçka unike, një festë me karakter etnik, në të cilin nuk mungonte as skena në mes të sallës. Të veshur me simbole kombëtare, të katër artistët performuan këngë shqip, duke e ndezur tërësisht ambientin. “Si fillim shkuam nga ora 22.00, bëmë porosinë për të ngrënë, derisa në skenë u prezantuan këngëtarët, të cilët dua të them se janë ndër më të mirët, sidomos Sidrit Bejleri. Shumë emocionuese ishte kur pikërisht ai këndoi himnin dhe të gjithë të pranishmit, përfshirë dhe ne, u çuam në këmbë dhe e kënduam me një zë”, thotë Stela. Duke shtuar më tej se, e gjithë atmosfera të krijon në vete ndjesinë e krenarisë për të qenë shqiptare. “Ishte pikërisht ajo çka na duhej, sepse pak a shumë nëpër party të zakonshëm mund të shkojmë edhe herë të tjera, por në një organizim të tillë nuk është se të jepet mundësia shpesh”.
Jo vetëm festë, por edhe gjoba
Ndërkohë nga ana tjetër e Tiranës, të tjerë të rinj vazhdonin të ishin në kërkim të “Natës së Bardhë” dhe nëpër klubet e natës, ata përjetuan të tjera ndjesi. Ami dhe shoqëria e saj nuk gjetën vend në klubin e natës që kishin menduar të shkonin, ndaj atyre iu desh që të shihnin për një tjetër vend. Si ajo dhe shoqëria e saj, ishin të shumtë ata që nuk gjetën vend gjatë “Natës së bardhë”. Teksa ora kishte kaluar mesnatën, trafiku ishte rënduar. Policia rrugore, e kudondodhur, paraprinte karrexhatat duke edukuar qarkullimin. Ndër zonat më problematike nuk kishte si të mos ishte zona e ish-bllokut, në të cilën përqendrohen edhe disa prej klubeve më të frekuentuara të natës. Në këtë zonë patrullat e policisë ishin më të shpeshta, ndërsa kundërvajtja më e zakonshme ishte vendqëndrimi dhe parkimi i gabuar. Pikërisht për një shkelje të tillë mori një gjobë edhe Niku, shoku i Amit, i cili ishte personi që i mundësonte shoqërisë së tij, që të lëviznin me makinë në mënyrë që të shihnin për një tjetër klub nate.
“Normalisht që, gjoba që mora nuk ishte pa të drejtë, por realisht edhe ne nuk është se kemi faj në një kohë kur këtu parkimi është bërë tmerr, sepse nuk ka asnjë vend”, thotë Niku, duke risjellë në vëmendje problemin e parkimeve në Tiranë. Trafiku, dyndja e madhe e të rinjve nëpër klubet e ish-bllokut, si edhe shiu që binte papushim bëri që Ami dhe shoqëria e saj të gjenin më në fund një klub në periferi të Tiranës, ku performonte me muzikë “house” Dj Sardi. “Aq sa shkoi ora nuk kishte më rëndësi vendi ku ndalëm, mjaftonte fakti që të kërcenim, sepse të them të drejtën u lodhëm disi, pasi në katër vende që pamë nuk kishte vend”, thotë Ami, e ndërgjegjshme se nga “Nata e Bardhë” kërkonte thjesht një klub nate sa për t’u dëfryer.
Pas një party, preferohet lëvizja me taksi
Ndërkohë, nga ana tjetër, Ermiri dhe Stela shijonin performancën e Juliana Pashës, e cila po këndonte këngën arbëreshe, “Moj e bukura more”. Përgjatë gjithë kësaj kohe policia rrugore, në sheshin “Shqiponja”, një nga segmentet kryesore dalëse të Tiranës, kontrollonte drejtuesit e automjeteve për konsumim alkooli. Pikërisht për të shmangur ndonjë të papritur, të shumtë ishin edhe ata që kishin zgjedhur këtë mbrëmje të lëviznin me taksi dhe jo me automjetet e tyre. Në orët e para të mëngjesit, kur në klubet e natës energjitë shkojnë në fund dhe pija arrin maksimumin, është tejet e rrezikshme ngasja e makinës, ndaj një fenomen pozitiv, që është gjithnjë edhe më i shpeshtë, që duhet vlerësuar, është edhe lëvizja me taksi pas një party. Kështu ndodhi edhe gjatë “Natës së Bardhë”. Në këto orë trafiku jashtë çdo klubi nate me emër krijohet nga taksitë, të cilat krijojnë një varg në pritje për t’iu shërbyer të rinjve. Kjo ishte pak a shumë atmosfera e Tiranës nën shi për festën e “29 Nëntorit” dhe për “Natën e Bardhë” të këtij viti, që si zakonisht nga të rinjtë u shfrytëzua më së shumti për të frekuentuar klubet e natës, deri në orët e vona, sesa për të frekuentuar institucionet ose vendet, ku kishte aktivitete të ndryshme kulturore.
“Nata e Bardhë” në Tiranë rikthehet pas dy vitesh “
Nata e Bardhë” kulmon tashmë prej vitesh si traditë e nisur nga Kryeministri Edi Rama, (asokohe kryetar i Bashkisë së Tiranës). Kjo natë konceptohet si një mirë-koordinim institucionesh, që të mund t’u ofrojnë qytetarëve art deri në orët e para të mëngjesit. Me qëllim për të krijuar art të kuptueshëm për një audiencë të madhe, duke frymëzuar dialogun dhe angazhimin e publikut dhe për të kuptuar rëndësinë e saj, nëpërmjet ndikimit në hapësirën publike. Një ngjarje e lirë që inkurajon festimin dhe angazhimin e komunitetit. Për një natë, hapësirat e qytetit shndërrohen në ekspozita të përkohshme arti. Qyteti, rruga, sheshet, institucionet e artit, baret, restorantet etj., gjallojnë me aktivitetet e artit, shfaqjet, instalacionet, filmat, kllounadat e artit të rrugës, duke e kthyer “Natën e Bardhë” shqiptare një event kulturor, që afron Tiranën me shumë qytete evropiane. Duhet thënë se, ky ishte viti i dytë i rikthimit të kësaj fryme pas “fshirjes”, që iu bë në vitin 2011 nga kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Ky organizim u ka mundësuar bizneseve që të shfrytëzojnë grumbullimet e të rinjve, duke tjetërsuar konceptin fillestar të “Natës së Bardhë” me aktivitete, që i joshin të rinjtë drejt një party të zakonshëm dhe jo drejt konsumit të artit dhe kulturës.















