Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se që nga dita e parë e kanë ditur se nuk ka pasur shkelje proceduriale lidhur me zgjedhjen e Hashim Thaçit President të vendit.
Kjo deklaratë e Mustafës erdhi pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka hedhur poshtë kërkesën e opozitës për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Thaçit në pozitën e të parit të vendit.
Kreu i ekzekutivit i ka bërë këto komente sot (e hënë), gjatë vizitës në Telekomin e Kosovës, ku ka takuar drejtuesin e saj, Agron Mustafa.
Mustafa ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me kombinatin “Trepça”.
Ai ka thënë se për ‘Trepçën’ vendos Kosova dhe jo Brukseli.
“Çdo pasuri brenda territorit të Kosovës është e pasuri e vendit tone”, ka thënë kryeministri Mustafa.















