Nuk janë dashur shumë orë punë që të dalin në pah mbetjet e mureve të njërit prej objekteve që fshihej në lokalitetin arkeologjik të Vendenisit, në Gllamnik të Podujevës.
Dyshemeja e një pjese të objektit, që besohet të ketë qenë punëtori, është zbuluar pas tri ditësh gërmime. Qysh në sondën e parë arkeologët kanë gjetur objektin që në bazë të detajeve duket së daton që në shekulli IV. Në dyshemenë e këtij objekti vërehen shenjat e zjarrit që e kanë shembur atë.
Prijësi i gërmimeve në këtë lokalitet, arkeologu i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Elvis Shala, ka thënë se menjëherë pas shtresës bujqësore kanë filluar të paraqiten mbetjet e objektit. E pas 80 centimetrash gërmime ka dalë dyshemeja. Mbi të ka pasur dhe rrënoja të çatisë që shoqërohen me gjurmë djegiesh. Monedhat dhe një fibulë janë pjesë përbërëse e koleksionet të gjetjeve që vijnë pak kohë pas zbulimit të rastësishëm të gjurmëve të tempullit antik. Gërmimet atje veç sa kanë nisur dhe janë të parat pas atyre në vitet ’80.
“Një objekt pothuajse i tillë është gjetur në vendin e quajtur Medvegjë, që është më tutje Medvegjës që konsiderohet si Kosovë Lindore. Zbulimi atje është identifikuar si objekt që ka shërbyer për rregullimin e rrotave të qerreve të kuajve. Kjo gjetje ishte bërë në vitet ‘60”, ka thënë arkeologu. Sonda e parë është bërë në Vicus (vendbanim përtej mureve të kështjellës).
“Tjetër arsye që gërmojnë në këtë pozicion është sepse edhe Mozaiku i Orfeut është gjetur rreth rrugës”, ka thënë Shala. Një monedhë goxha e pastër që portretizon perandorin Konstandin është gjetur ende pa nisur gërmimet. Tri monedha të tjera që ende nuk janë pastruar janë të ngjitura bashkë me njëra–tjetrën.
Gërmimeve nuk u ndahet Faik Islami (81). Brengë e kamotshme e tij është një gur nja 2 metra i lartë që tash nuk zë vend në këtë fshat.
“I ka 20 rreshta të shkrumë. Baba jem thojke që këtupari është gjetur. Me ardhjen e Titos, në dy a tri vjetët e para ka ardhë një rus të cilin e kam pa edhe unë. Ai mblidhte gurë”. Sipas tij, serbët e kanë zhvendosur gurin në Sarajevë.
Lokaliteti Vendenis, sipas arkeologëve, u popullua me ardhjen e Perandorisë Romake. E koha më e mirë, apo lulëzimi i Vendenisit, siç thotë Shala, ka qenë në shekujt II-III.


















