Shteti serb ka pamundësuar qasjen në dokumentet e arkivës shtetërore, në të cilën gjenden dhe të dhënat e BIA-s, shërbimit sekret serb nga 6 tetori deri më 8 janar.
Arsyeja zyrtare sipas gazetës serbe, BLIC, për mbylljen e arkivës shtetërore janë “punimet në riparimin e depove në mënyrë që të sigurohen kundër zjarrit”.
Mirëpo sipas kësaj gazete serbe, historianët e vlerësojnë këtë si të pazakontë, ndërsa ka të atillë që dyshojnë në fshehjen e dokumentave.
Pjesë e arkivës shtetërore janë edhe të dhënat e BIA-s, qasja në të cilat është e lejueshme vetëm për kërkime shkencore dhe për komisionet shtetërore.
Aty janë edhe 80 mijë dosje personale, kopjet e të cilave mund të dërgohen vetëm nëpër gjykata për raste të rehabilitimit.
Dobrivoje Tomic, pjesëtar i Komisionit shtetëror për zbulimin e varrezave sekret, i ka thënë BLIC se ai dyshon që në pyetje është largimi i dokumenteve të cilat flasin për krimet e komunistëve.















