Me aktivitete të ndryshme, sot në Mitrovicë është shënuar 15 vjetori i fillimit të ushtrimit të veprimtarisë së USAID-it në këtë qytet.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të misionit të USAID-it në Kosovë, Criss Edwards, së bashku me kryetarin e komunës, Agim Bahtiri, kanë përcjellë nga afër edhe materialet e paraqitura për punën që ka bërë dhe që po bënë USAID-i në sektorin e drejtësisë, sundimit të ligjit, pjesëmarrjes në vendimmarrje, përkrahjen e arsimit, veçanërisht atë profesional, ngritjen e kapaciteteve bujqësor etj.
“Tri fushat kryesore të cilat ne i mbështesim janë arsimi, sektori privat dhe sundimi i ligjit. Ne po ashtu në kuadër të transformimit të lidershipit kemi edhe bursat për studime. Këtë vit janë 15 studentë që do të vazhdojnë studimet master në SHBA, ndërsa tre prej tyre janë nga Mitrovica”, tha Edwards.
Ewvards dhe Bahtiri kanë vizituar Qendrën për Aftësimin Profesional dhe Klasën e shekullit XXI e cila është financuar nga USAID-i, ku nga drejtoresha e shkollës Sanije Raifi janë njoftuar me procesin arsimor që zhvillohet në këtë qendër. Më pastaj, ata kanë vizituar edhe serrën “Agro-Sera” në Shipol, në të cilën ka investuar USAID-i.

















