Psikologia e gazetarja që sot drejton me mjaft sukses “Global Woman” Mirela Sula, ka refuzuar marrjen e një çmimi në Samitin e Diasporës. Sula ka vazhduar me axhenden e saj ndërsa shprehet e kënaqur që nuk e tërhoqi çmimin, pasi siç shkruan, do ndiheshe sikur kishte tradhtuar të gjithë ata që i besojnë e janë lodhur nga samitet e politikës.
JA SI E RRËFEN VETË MIRELA SULA GJITHÇFARË KA NDODHUR:
“Para një ore më kontakton dikush, përfaqësues i politikes, dhe më pyet “Mirela, a je në sallën e kongreseve sepse po zhvillohet Samiti për Disaporën dhe do marrësh një çmim”. I thashë jo, jam larguar, sot mbërrita në Londër. Atëherë po e tërheq unë për ty me tha.
Realisht u gëzova, fillova të qortoj veten “Pse asnjëherë nuk ke besuar te politika shqiptare – ja ku u kujtuan për ty, gruan e fshatit që po bën fushatë në mbarë botën të rregullosh imzahin e keq që politikanët kanë krijuar për vendin tonë.
Ndoshta ky është ndër mesazhet e vetme që do shihini nga unë për politikën, nuk më ka interesuar dhe as nuk do më interesojë ndonjëherë kjo fushë e turbullt që vec u merr njerëzve por rrallëherë u jep….
Kur më ftuan për të marre pjesë në Sumitin e Diasporës nuk e kisha të qarte se përse po organizohej, cili do ishte roli im aty, cfarë ndikimi do kishte prezenca ime dhe përse do shërbeja. Ndaj duke qene se nuk mora përgjigje vazhdova programin tim me konferencën e grave. Dhe meqë ra fjala, dikush më tha “Cfarë u ke bëre grave që vijnë e rrinë pa lëvizur me orë të tëra në eventet e tua, nga mëngjesi deri në mbrëmje. As Edi Rama nuk arrin t’i mbajë njerëzit kështu siç i mban ti”.
Përgjigja ime është “U jap atyre diçka që u mungon, diçka që në fakt duhet t’ua japë politika… gratë tona ministre e deputete”.
Gjithsesi, nuk dua të zgjatem në këtë pikë – do thoni ju “Po çmimin e more???” – Sapo më erdhi një përgjigje “Mirela ti ishe larguar dhe organizatorët kanë kërkuar t’ju kontaktojnë gjithë ditën”.
Ndërsa përgjigja ime për organizatorët dhe gjithë politikanet, gra e burra është: “Faleminderit që s’ma dhatë çmimin sepse do ndihesha sikur do t’i kisha tradhtuar të gjitha ata ndjekës që besojnë në atë që bej, dhe që janë të zhgënjyer pa fund me ju, me samitet tuaja, punët dhe premtimet tuaja boshe. Unë nuk kam pritur ndonjëherë çmim nga ju dhe as nuk do të pres që të vlerësohem nga ju. Çmimet ia jap vetes çdo ditë, me punën time, përkushtimin tim ndaj të mirës dhe ndaj njerëzve si unë që besojnë në një ditë të mire se Shqipëria një ditë do të bëhet, jo me ju, por me rizgjimin e njerëzve të vërtetë që do të ndjekin misionin për të ndihmuar veten dhe vendin e tyre”.





















