Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri vizitoi sot Lazaratin ku u shpreh se tashmë edhe në këtë fshat është vendosur sundimi i ligjit. Në një prononcim për mediat, Tahiri akuzoi prokurorinë se ka vepruar shumë ngadalë.
“Lazarati është si çdo pjesë e Shqipërisë, tashmë e shihni dhe ju, që kërkonte pak mundim. Unë erdha për të falënderuar Policinë e Shtetit për punën e mrekullueshme, ata djem dhe vajza që kanë bërë shumë për t’i bërë të gjithë të barabartë para ligjit. Siç e patë dhe dëshmuat në këto ditë, banorët e kanë mirëpritur ndërhyrjen e policisë, pasi ky fshat ka qenë peng i disa banditëve që shumë shpejt do arrestohen. Besoj se është momenti për të parë përpara. Ligji u vendos këtu si në çdo vend tjetër. Veprimet proceduriale të prokurorisë kanë qenë shumë të ngadalta. Nuk dua ta vesh me nota ta veçanta boshllëkun e prokurorisë, por nuk i shkon ritmit të Policisë së Shtetit” tha Tahiri, i cili është i pari ministër i Brendshëm që hyn në Lazarat.
Nderkohe qe gjatë ditës së sotme nga strukturat e Policisë së Shtetit janë kontrolluar 32 ambiente të ndryshme (banesa, stane, magazine) në territorin e fshatit Lazarat.
– janë gjetur e asgjesuar 2 ton e 10.1 kg marijuanë
– janë gjetur e asgjesuar 9385 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa
– janë sekuestruar 11 armë zjarri automatikë e pushkë
– janë sekuestruar 4 pistoleta
-është sekuestruar 1 mitroloz dhe 1 antitank dhe 1 granatëhedhës
-janë sekuestruar 20.250 fishekë
– janë gjetur e sekuestruar 5 automjete me armatim e municion, si dhe 2 automjete bosh
– janë sekuestruar 4 kuti predha granatëhedhësi















