Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka fshehur dy komisioneve të Kuvendit një raport të ICITAP-it amerikan mbi projektligjin për kamerat e sigurisë.
HashtagAL e disponon të plotë këtë raport, ndërsa përmbajtja e tij është një ‘shuplakë’ ndaj nismës së Tahirit për të detyruar institucionet publike dhe bizneset private që të instalojnë kamera sigurie, madje dhe t’i penalizojë ato nëse nuk e bëjnë diçka të tillë.
Tahiri ka pasur një letërkëmbim me amerikanët në periudhën Prill-Qershor 2015, ndërsa në Tetor 2015 dorëzoi projektligjin në Kuvend.
Raporti i ICITAP-it, zbulon se amerikanët i kishin kërkuar Tahirit që t’u jepte atyre një relacion të detajuar mbi arsyet se përse ai donte të instalonte kamera sigurie anembanë Shqipërisë dhe ku bazohej një vendimarrje e tillë dhe si ishte argumentuar ajo.
Tahiri nuk u paraqiti kurrë amerikanëve një relacion shpjegues, ai thjesht u dërgoi projektligjin me nenet përkatëse.
Për më tepër, që në raportin final të ICITAP-it shkruhet e Tahiri nuk kishte reflektuar ndryshimet e sugjeruara prej tyre.
Ekspertët amerikanë i kishin bërë të ditur në raport ministrit se nisma e tij ishte antikushtetuese dhe kufizonte të drejtat e qytetarëve, ekspertët shprehen në mënyrë eksplicite në raport se policia mund të nxisë dhe të inkurajojë bizneset të montojnë këto kamera por kurrsesi nuk mund t’i detyrojë e për më tepër t’i gjobitë nëse nuk i instalojnë.
Në raport, amerikanët i kujtojnë ministrit se nuk ka ndonjë nismë të ngjashme as në SHBA dhe as në ndonjë shtet tjetër evropian.
Ndërsa ministri as kishte marrë mundimin të argumentonte se në ç’mënyrë këto sisteme kamerash do rrisnin sigurinë publike. Fare, zero argumentim.
Në fund të raportit ICITAP-i amerikan i sugjeron ministrit që të hiqte dorë nga kjo nismë.
Por ministri duket se i ka pasur idetë e qarta, ai në Tetor ka dërguar projektligjin në Kuvend për ta shndërruar në ligj. Projektligji i Tahirit nuk i reflektonte ndryshimet e sugjeruara nga ekspertët amerikanë të ICITAP-it.
Gjatë mbledhjeve të zhvilluara në Komisionin e Ligjeve dhe të Sigurisë, ministri dhe ndihmësit e tij kanë shmangur me lezet raportin delikat të amerikanëve.
Në relacionin që i ka dërguar Kuvendit Tahiri përmend se ishte konsultuar dhe me ICITAP-in dhe PAMECA-n, por vetëm kaq, asnjë e dhënë mbi rekomandimet e këtyre dy institucioneve nuk i’u njoftua komisioneve përkatëse.
HashtagAL disponon gjithashtu dhe raportin e PAMECA-s i cili është në të njëjtën frymë me atë të ICITAP-it amerikan.
Presidenti Nishani nuk e dekretoi ligjin e miratuar të Tahirit për kamerat e sigurisë, ndërsa parlamenti do e rivotojë edhe njëherë këtë ligj.
Asnjë prej deputetëve të Kuvendit që do votojnë sërish nuk është njohur me rekomandimet e ekspertëve amerikanë të ICITAP-it(të paktën zyrtarisht), sepse ministri Tahiri ka vendosur të fshehë raportin e tyre dhe të ngulë këmbë për votimin e një ligji që nga ekspertët amerikanë të ICITAP-it është konsideruar antikushtetues, pa vlerë dhe me një kosto të rëndë financiare për bizneset private në Shqipëri.
PJESË NGA RAPORTI I ICITAP:
-Ministria e Brendshme dorëzoi pranë ICITAP vetëm kopjen e projektligjit dhe nuk e shoqëroi me ndonjë relacion shpjegues dhe as nuk u mbajt ndonjë takim për të shpjeguar tekstin dhe ndryshimet e bëra në versionin fillestar. Si rrjedhojë nuk është e qartë nëse në këtë gjatë hartimit të këtij versioni janë marrë parasysh mendimet e ICITAP(Prill 2015) mbi versionin e mëparshëm.
Siç do të shihet dhe më poshtë, shumë prej komenteve të ICITAP janë përsëritje e mendimeve tona mbi versionin e parë të këtij projektligji.
-Në Dhjetor 2013 një grup i armatosur i njohur si banda e “Babagjyshëve” hyri në një qendër tregtare i armatosur(TEG) për grabitje argjendarish duke i kërcënuar me armë zjarri. I tërë incidenti u kap me kamerat me qark të mbyllur CCTV dhe aksioni kriminal u krye pavarësisht një numri të caktuar të rojeve të sigurisë.
Po kështu në Qershor të vitit 2014 një bankier i nivelit të lartë(Santo) u vra në një rrugë me shumë lëvizje në Tiranë, nën vështrimin e një oficeri të policisë së shtetit dhe autorët e krimit ishin filmuar nga një sërë kamerash CCTV para, gjatë dhe pas vrasjes. Kamerat e sigurisë dhe prania e personelit të sigurisë as nuk parandalojnë dhe as nuk zbulojnë rastet e kriminelëve të organizuar që fshehin identitetin e tyre.
Në kushtet e bareve dhe klubeve të natës, prania e kamerave të sigurisë dhe/ose e personelit të sigurisë, mund të ndihmojë në zbulimin e krimeve me armë, por janë provuar si më pak efikase, si pengesë.
Në dy rastet e fundit që përfunduan me viktima, (Kuliçi 2013) dhe (Xhuvani 2014), mund të thuhet se shkelësit të cilët ishin nën ndikimin e alkoholit dhe të drogës, nuk do të ndiheshin të penguar nga masa të tilla të sigurisë.
Hulumtimet tregojnë se kamerat e sigurisë kanë një vlerë të kufizuar për sa i përket parandalimit të krimeve të rënda.
-Ka një shqetësim se masat e propozuara do të krijojnë një barrë të konsiderueshme financiare për disa biznese private. Kostoja e procesit të certifikimit dhe rinovimeve të mëvonshme të sistemeve të kamerave CCTV dhe personelit të sigurisë mund të rezultojnë një barrë e panevojshme për shumë biznese të vogla e të mesme.
-Në shumë vende, veçanërisht në SHBA, ekziston një praktikë ku policia i nxit bizneset private dhe individët të investojnë në sisteme për të parandaluar dhe për t’u mbrojtur kundër krimit. Megjithatë, këto nisma për policimin në komunitet, kurrë nuk kërkojnë të imponojnë një detyrim normativ për t’u respektuar, e aq më pak akoma të kriminalizojnë mos-respektimin e tij.
REKOMANDIM:
Siç ka deklaruar dhe në dokumentin e mëparshëm, ICITAP-i, do të dëshironte fillimisht të shihte një relacion ku diskutohen politikat në vend se të shikonte një projektligj të përfunduar.
Praktikë normale është një relacion ku të diskutohen:
–Vëllimi i njohur dhe karakteristikat e krimit apo problemit të rendit publik, përfshirë statistikat e sakta
-Një listë të opsioneve të detajuara të shkelësit të ligjit, për të rritur shkallën e zbulueshmëisë duke u mbështetur në metoda që kanë rezultuar të suksesshme në vende të tjera
-Kostot përkatëse të çdo opsioni si për qeverinë ashtu dhe për biznesin privat
Ky projektligj nuk ofron asnjë gjë nga sa thamë më lart, thjesht merr të mirëqenë problemin dhe imponon një zgjidhje pa dhënë prova për arsyetim.
Si rrjedhojë ICITAP dhe Ministria e Punëve të Brendshme, ta lënë mënjanë projektligjin dhe të përgatisin një dokument politike të hollësishëm ku të trajtojnë pikat e përmendura në këtë paragraf.
/hashtag/















