Sipas historianit Paskal Milo, vizita e sotme e Ramës në Beograd do të tentojë të normalizojë marrëdhëniet dhe jo ti zhvillojë ato. Gjatë një interviste të dhënë për “Ora News”, ai tha se mesazhet që Rama do të transmetojë janë të rëndësishme.
Ish-ministri i Jashtëm dhe historiani Paskal Milo është shprehur se nuk duhet të ushqejmë iluzione se kryeministri të ketë mundësinë që të kthehet nga Beogradi me një vizitë të suksesshme.
“Edhe kjo një vizitë që do të bëhet, ishte mirë mos të kishte ndodhur incidenti, por ajo do të bëhet, do shkojnë, do vijnë. Për të qenë i sinqertë, është një vizitë delikate për të qenë.
Është një vizitë ku pritshmëria nuk është dhe nuk do të jetë ajo që para se të ndodhte incidenti. Kjo vizitë do tentojë të normalizojë marrëdhëniet, nuk do i zhvillojë, por do tentojë t’i rikthejë në atë shtratin normal, në dukje që kanë qenë para incidentit. Të mos ushqejmë iluzione se kryeministri Rama të ketë shancin dhe mundësitë që të kthehet nga Beogradi me një vizitë të suksesshme, se vizitat e suksesshme në radhë të parë maten me çfarë arrihet.
A do të ketë marrëveshje që do të nënshkruhen? Sepse në marrëdhëniet midis dy vendeve ka një problematikë të gjerë, ka projekt-marrëveshje që duhej të nënshkruheshin, me qëllim që t’i japin zhvillim jo vetëm marrëdhënieve politike, por ekonomike, shoqërore, arsimore etj”, thotë Milo.
“Ajo që është më e rëndësishme janë mesazhet që do jepen aty.
Une besoj se kryeministri Rama do japë mesazhet e duhura, jo vetëm për të shprehur atë vullnet që ka shprehur në emër të qeverisë shqiptare, që Shqipëria ka vullnet për të zhvilluar marrëdhëniet, që të bashkëpunojnë, por edhe për faktin që jemi dy vende që trokasin në dyert e BE dhe mund të ecim para vetëm duke pasur marrëdhënie të mira”.















