Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i pranishëm në Kuvendin e Maqedonisë, u shpreh se Shqipëria dhe Maqedonia duhet të përdorin të gjitha instrumentet për ti shërbyer të ardhmes sonë të përbashkët. Më herët Meta u shpreh se ndodhet në këtë kuvend për të rikonfirmuar se Shqipëria e mbështet Maqedoninë në rrugëtimin e saj euroatlantik, të bindur se e ardhmja e vendit tonë dhe e Maqedonisë, gjendet në integrimin e Bashkimin Evropian. “Shqipëria dhe Maqedonia duhet ta ndiejnë miqësinë dhe ndërlidhjen mes tyre në një nivel më të lartë. Duhet të bashkëpunojmë të bindur se i kemi nxënë mësimet e hidhura të së kaluarës në rajonin tonë. Marrëdhëniet mes dy Kuvendeve tona, kanë një peshë të veçantë. Jemi sot për ti dhënë një hov të ri këtyre raporteve. Rruga e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit pozitiv është rruga që popujt tanë duan. Parlamentet tona duhet ta forcojnë bashkëpunimin.
Duhet të jemi më aktivë dhe më krijues në marrëdhëniet tona”,- tha Meta. Në vijim, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë shtoi se lidhjet mes popujve tanë janë shumë të hershme, ndërsa marrëdhëniet mes qeverive janë forcuar më shumë gjatë viteve të fundit, e megjithatë, sipas Metës, jemi larg pritshmërive që kishim parashikuar. “Shqipëria mbështet në mënyrë të natyrshme sovranitetin dhe zhvillimin e Maqedonisë. Stabiliteti dhe sovraniteti i saj janë jetike për mbarëvajtjen e rajonit tonë. Në besojmë se duhet të investojmë në ngritjen e urave të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve konkrete. Marrëveshja e Ohrit është një gur prove për ne, mbi egoizmat nacionalë, të cilat janë treguar aspak të leverdishëm për interesat e popujve tanë”,- deklaroi Meta. Sipas tij, të gjithë do të merrnim rezultate konkrete e të prekshme nëse do të ngushtonim hapësirat ekstremiste ngado që ato vijë. Ai bëri me dije se inkurajojmë një pjesëmarrje më të madhe të shqiptarëve si faktorë shtet-formues në Maqedoni. “Shqipëria do të qëndrojë pranë dhe në mbështetje të progresit të Republikës së Maqedonisë. Të veçuar jemi shumë të vegjël, ndërsa të bashkuar krijojmë një treg shumë tërheqës për investimet e huaja”,- tha ndër të tjera Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.
















