Në drejtorinë e Tiranës radha për vetëdeklarimin e ndërtimeve është e gjatë, por shumë persona janë dyndur në sportele për të deklaruar edhe shtesat për shkak të mungesës së saktë të informacionit. ALUIZNI, në shqyrtim të një shtyrjeje tjetër të afatit të vetëdeklarimit…
Kanë mbetur edhe 10 ditë nga afati përfundimtar për vetëdeklarimet e banesave pa leje, por radhët e gjata në sportelet e ALUIZNI-t rrezikojnë një shtyrje tjetër. Burimet nga ALUIZNI bëjnë me dije se është duke u analizuar interesi i qytetarëve dhe nëse ka radhë do mundësohet një shtyrje e re.
Sipas ligjit të legalizimit, afati për vetëdeklarimin ishte deri më 31 dhjetor. Por për shkak të interesit të lartë për aplikim, ALUIZNI e shtyu edhe me një muaj vetëdeklarimin, shtyrje që sërish është e pamjaftueshme.
Në drejtorinë e Tiranës radha për vetëdeklarim është e gjatë, por shumë persona janë dyndur në sportele për të deklaruar edhe shtesat për shkak të mungesës së saktë të informacionit. Burimet nga ALUIZNI bëjnë me dije se kanë marrë formularin e aplikimit rreth 20 mijë persona, por numri i atyre që nuk kishin deklaruar para vitit 2009 është më shumë se 45 mijë vetë.
Drejtori i ALUIZNI-it, Artan Lame është shprehur se këto banesa nëse nuk deklarohen, rrezikojnë shembjen. Më pas shqyrtimi i kërkesave do të vijojë, duke mundësuar pajisjen me leje legalizimi të atyre që kanë ndërtuar në tokën e tyre dhe atyre që kanë ndërtuar në tokë të shtetit. Ata që kanë vetëdeklaruar më parë nuk duhet t’i nënshtrohen kësaj procedure.
Ndërkohë, ALUIZNI ka mundësuar një shërbim online ndaj të gjithë atyre që kanë vetëdeklaruar të shohin detajet online. Informacioni i njeh të interesuarit me të dhënat e objektit të vetëdeklaruar, të tilla si sipërfaqja, prona që pretendohet dhe detaje të tjera për objektin. Ky shërbim, sipas ALUIZNI-t ka për qëllim të parandalojë gabimet njerëzore.
Duket se ky do të jetë shansi i fundit për deklarimin e objekteve pa leje të ndërtuara para vitit 2009. Nëse ata nuk deklarohen në afat, pronësia mbi to është e pamundur dhe shembja është e sigurt në rastet kur janë në kundërshtim me planet rregulluese. Në këtë situatë shteti nuk detyrohet për kompensim. ALUIZNI i ka publikuar të gjitha kategoritë e vetëdeklarimeve.
Për ato që janë në tokë të huaj dhe atë në truallin në pronësi të të interesuarve. Gjithashtu janë publikuar edhe deklarimet e bëra para vitit 2009. Gjatë vijueshmërisë së procesit të legalizimit, ALUIZNI është ndeshur me problematika të ndryshme, si në lidhje me bashkërendimin e punës me institucione të cilët janë të lidhura me procesin e legalizimit, ashtu dhe me kriteret kualifikuese të objekteve.
Problematikat më të mëdha janë shkaktuar nga zyrat e hipotekave. Në shumë raste, hartat e ZRPP nuk përputhen me hartat vektoriale, pasi nuk është punuar me të njëjtën hartë. Kthimi i përgjigjeve të Hipotekës, përveçse të vonuara, në shumë raste është edhe gabim.
Gjatë vitit 2005 deri në vitin 2013 kanë përfunduar procedurat administrative dhe janë dhënë leje legalizimi për 21.750 ndërtime, duke realizuar 8% kundrejt numrit total të vetëdeklarimeve të objekteve pa leje.
Ritmi i ecurisë së procesit të legalizimit në këtë periudhë ka qenë shumë i ngadaltë në të gjithë treguesit e etapave të procesit, me një mesatare vjetore prej 1,5%, ose 2500 leje në vit. Procesi i konstatimeve dhe i verifikimeve në terren të objekteve pa leje, si dhe i dhënieve të leje të legalizimit u rihap në mars 2014. Për periudhën mars-nëntor të vitit 2014, numri i lejeve të legalizimit është 12.073 leje për ndërtime.
















