Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka thirrur një konferencë për media, ku është folur gjerësisht për rendësinë që ka konferenca e nesërme në Berlin mes kancelares Merkel dhe shefave të qeverive të Ballkanit Perëndimor.
Zëvendës ambasadori Matthias Kiesler tha se rëndësia e kësaj konference qëndron në atë se është nën organizimin direkt të kancelares Angela Merkel, e cila po tregon se sa është i rëndësishëm ky rajon për politikën e jashtme gjermane. Sipas tij, konferenca do t’i ketë në fokus dy pika kryesore përmes të cilave synon avancimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin drejt anëtarësimit në BE.
“Në konferencë do të jenë dy pika kryesore për të cilat do të diskutohet. E para është bashkëpunimi rajonal. Pra, këtu është shumë e rëndësishme që dialogu politik i Kosovës me Serbinë të vazhdojë. Dhe pika e tjetër, e cila është e rëndësishme, është pika e zhvillimit ekonomik të të gjitha vendeve të rajonit në sektorin e energjisë dhe të infrastrukturës. Pra, të gjitha shtetet e rajonit duhet të bashkëpunojnë. Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova të jetë pjesëmarrëse në të gjitha forumet dhe organizatat ekzistuese të bashkëpunimit rajonal”, tha Kiesler, transmeton KP.
Ai shtoi se organizimi i kësaj conference, në të cilën do të marrin pjesë delegacione të niveleve më të larta nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve tjera, tregon për rëndësinë që ka ky rajon për Gjermaninë dhe vendet tjera.
“Kjo tregon se Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm sepse ftesa është bërë personalisht nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila bashkërisht me ministrin e Punëve të Jashtme, Steinmeyer, dhe Ministrin e Ekonomisë, Gabriel, do të jenë nikoqirë të kësaj konference. Kjo është një sinjal që e ardhmja e të gjitha shteteve e rajonit është në BE. Synimi i kësaj konference është që të evidentohet gjendja e tanishme dhe të diskutohet mbi mundësinë se si shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet ta vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt BE-së dhe të shihet në përgjithësi se çfarë përparësisë mund të ketë rajoni nga kjo”, ka thënë ai.
Konferenca e nesërme do të ketë tri forume të ndryshme që do të mbahen paralelisht.
Kiesler tha se për Qeverinë federale gjermane është shumë e rëndësishme që kjo lloj konference të vazhdohet dhe të mos jetë një ngjarje që ndodh veç një herë.
Kjo konferencë është planifikuar që të mbahen një herë në vit dhe deri në vitin 2018 dhe qeveria austriake ka shprehur dëshirën të organizojë vitin e ardhshme këtë konferencë dhe të jetë nikoqire.
















