Ermira Mehmeti, deputete e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Kuvendin e Maqedonisë, ka shprehur bindjen se Maqedonia do të ndryshojë për të mirë.
“Maqedonia është duke kaluar në një proces të reflektimit që do ta ndryshojë Maqedonin pozitivisht”, ka thënë Mehmeti, në KTV.
Ajo ka thënë se BDI-a është përpjekur që të luajë rolin e një partie konstruktive, duke e riaktualizuar çështjet etnike të parapara me Marrëveshjen e Ohrit dhe dialogun si mjet politik për zgjidhjen e krizës.
Deputetja e BDI-së ka treguar se propozimi i saj që të zgjidhej një kryeministër shqiptar në Maqedoni kishte hasur në kundërshtim të ashpër të maqedonasve.
“Qysh kur është kuptuar se kriza në Maqedoni zgjidhet vetëm me dialog, pata propozuar që pozicioni politik i BDI-së të jetë në zgjedhjen e një kryeministri shqiptar mbipartiak për të dëshmuar që shqiptarët janë qytetarë të devotshëm”, ka thënë deputetja Mehmeti, transmeton Koha.net.
Ajo ka shpjeguar se ajo e kishte bërë këtë propozim qysh në mars dhe kishte hasur në kundërshtim të ashpër të maqedonëve.
Ermira Mehmeti ka thënë se ministrat e BDI-së në Qeverinë Gruevski kanë qenë të ngathët dhe se kanë mundur të kenë performansë më të mirë.















