Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se shkuarja apo jo e Kosovës në zgjedhje është në duart e koalicionit LDK-AAK-Nisma.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Ahmeti ka thënë se nuk ka asgjë të keqe nëse mbahen përsëri zgjedhjet.
“Edhe nëse mbahen zgjedhjet asgjë të keqe nuk ka. Nëse kjo është mënyra për të dalë prej këtij ngërçi politik, le të shkohet në zgjedhje”, ka thënë ai.
Por Ahmeti ka vlerësuar se nëse koalicioni paszgjedhor do t’i pranonte kushtet e Vetëvendosjes, Kosova, sipas tij, do të kishte qeveri dhe institucione stabile.
“Ndërkaq, në qoftë se shkon me Listën Srpska, do të kenë qeveri jostabile, të varur nga Beogradi. Dhe nëse blloku shkon në diskutime me PDK-në, për mendimin tim nuk do të ishte diçka e mirë”, ka thënë Ahmeti.
Duke folur për Komunën e Prishtinës, Ahmeti ka thënë se gjatë këtyre muajve ka arritur ta ndalë të keqen në kryeqytet. Ai ka shprehur optimizëm se brenda mandatit do t’i realizojë 12 zotimet që i ka dhënë gjatë fushatës elektorale.
“Unë gati për çdo javë u kthehem premtimeve të mia të cilat i kam dhënë në fushatë, i shikoj cilat i kemi arritur dhe cili është progresi. Dhe krahas premtimeve, jemi në rrugë të mirë për t’i realizuar 12 zotimet për të cilat u kam thënë qytetarëve t’i mbajnë me vete dhe pas katër vjetësh ose gjatë mandatit të më thonë se këtë ose atë s’e kam realizuar. Pra, mendoj se i kemi ndalur gjërat e këqija. Tash jemi duke punuar për gjëra të mira dhe për përmirësimin e situatës”, ka deklaruar Ahmeti.














