Ministria e Mbrojtjes ka hartuar një ligj të veçantë për dhënien e medaljeve për ushtarakët dhe civilët që kanë kontribuar në mbrojtjen e vendin apo në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Drafti me 37 nene i cili vjen pas debateve për dekorimin e 100 veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare mes të cilëve dhe Vito Kapo, përcakton kriteret për përfitimin e medaljeve por dhe autoritetet që kanë të drejtë t’i japin ato. Projektligji i dorëzuar tashmë në Kuvend përcakton gjithashtu që çdokush që nderohet me një medalje do të përfitojë dhe të ardhura financiare. Shuma që do të përfitohet për secilën nga 23 llojet e medaljeve, do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Projektligji
Ministria e Mbrojtjes; Shefi i Shtabit të Përgjithshëm; komandantët e forcave; komandantët e komandave mbështetëse; komandantët e batalioneve/ flotiljeve/regjimenteve dhe komandantët e kompanive janë autoritetet ligjore të cilët kanë të drejtë të japin një nga 23 llojet e medaljeve që mund t’u jepen ushtarakëve por dhe civilëve që kanë kontribuar në mbrojtjen e vendit. Sipas përcaktimeve në nenin 6 të projektligjit, ministri i Mbrojtjes ka të drejtë të japë “Medaljen e nderit”; “Medaljen e mirënjohjes”; medaljen “Në shërbim të Atdheut”, medaljen “Për shërbime të shquara” dhe medaljen “Për shërbime të larta”. “Medalja e nderit” është medalja më e lartë që i jepet ushtarakëve aktivë, në rezervë dhe në lirim, të Forcave të Armatosura, për trimëri, guxim dhe kontribut të spikatur, duke rrezikuar jetën përtej asaj çfarë kërkon detyra. Ndërkohë që “Medalja e mirënjohjes” u jepet ushtarakëve aktivë, në rezervë, në lirim ose në pension, personelit civil dhe reparteve të Forcave të Armatosura, të cilët janë dalluar për kontributin dhe vlerat e veçanta në shërbim të lartësimit të figurës së ushtarakut të Forcave të Armatosura brenda dhe jashtë vendit por edhe ushtarakëve të huaj, të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë në shërbim të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Për dhënien e çdo medalje propozon ministrja e Mbrojtjes por vendos Këshilli i Ministrave. Neni 32 i projektligjit përcakton gjithashtu që dhënia e medaljeve shoqërohet me një shpërblim financiar. “Lloji i medaljes dhe masa e shpërblimit të saj përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes”, – thuhet në pikën 2 të këtij neni. Ndërsa në relacionin që shoqëron draftin shpjegohet se ky projektligj është parashikuar në programin e përgjithshëm analitik të projektakteve, për Ministrinë e Mbrojtjes, për vitin 2014. Me hartimin e tij e drejta e ministres së Mbrojtjes për të dhënë medalje tashmë do të parashikohet në këtë projektligj dhe jo në ligjit nr. 112/2013, “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”, siç parashikohej deri më sot. “Në projektligj parashikohet shfuqizimi i dispozitave të ligjit nr. 112/2013, në të cilat përmendet ministri përgjegjës për Forcat e Armatosura. Në këtë mënyrë do të ketë një akt të vetëm për medaljet që i jepen personelit ushtarak dhe civil të Forcave të Armatosura”, – thuhet në relacionin shoqërues të draftit.
Policia Ushtarake, 6.6 milionë lekë shtesë për Mbrojtjen
Reforma në Forcat e Armatosura të republikës së Shqipërisë përfshin dhe policinë ushtarake. Në bazë të angazhimit për një reformim të plotë të këtyre strukturave Ministria e Mbrojtjes ka hartuar një projektligj të ri për policinë ushtarake duke shfuqizuar atë që është në fuqi prej vitit 2013. Projektligjit, sipas relacionit shpjegues të Ministrisë së Mbrojtjes, synon të krijojë një shërbimi policor profesional synimi kryesor i të cilit është të mbrojë, të forcojë dhe të garantojë ushtrimin e veprimtarisë së përditshme të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit, si dhe forcimin e luftës ndaj kriminalitetit në Forcat e Armatosura. “Nisma për hartimin e këtij projektligji vjen si një domosdoshmëri për vetë faktin se gjatë veprimtarisë për realizimin e misionit të saj, Policia Ushtarake ka hasur problematika, për shkak të ndryshimeve të shumta dhe të herë pas hershme që kanë pësuar aktet ligjore e nënligjore të cilat normojnë veprimtarinë e saj, disa prej të cilave nuk janë më në fuqi”, – sqarohet në relacion. Projektligji i dorëzuar tashmë në kuvend ka një kosto financiare prej 6 628 324 lekë.
















