Mbretëresha Elisabetta II buzagaz, e rrethuar nga tre trashëgimtarët e fronit: princi Charles. William dhe përfaqësuesi më i vogël i mbretërisë, George. Është fotoja e re zyrtare e familjes mbretërore e bërë për promovimin e pullave që celebrojnë 90 vite të “sovranit të rekordeve”. Asnjë monark britanik ka arritur më parë në këtë moshë.
Por ai që ia ka “vjedhur” skenën ishte i vogli George (gjithnjë me veshje të njëjtë), i fotografuar në këmbë mbi disa libra për të arritur lartësinë e familjarëve të tij.
Fotoja është realizuar në verën e vitit 2015 nga fotografi i zgjedhur nga “Royal Mail”, Ranald Mackechnie dhe do të përdoret për të stampuar katër pulla, nga një për çdo brez të familjes mbretërore.
Që këtu erdhi dhe ideja për të pozuar princin e vogël mbi libra dhe jo në krah të babait të tij. Fytyrat e familjes mbretërore duhej të ishin të distancuara njëri nga tjetri dhe të fotografuara në të njëjtën lartësi.
Studio dhe përgatitja e fotografive janë bërë me kujdes të madh. Veshja e mbretëreshës në veçanti, është ajo e mamasë së saj, Elizabeth Bowes-Lyon, në ditën e 100-vjetorit të lindjes së saj në vitin 2000. Vendi i zgjedhur për foton, është “White Drawing Room” një nga më të bukurat e Buckingham Palace.
Pasi kishte kaluar në 9 shtator 2015 rekordin e Vittoria-s, duke u bërë mbretëresha britanike që ka drejtuar më gjatë në historinë e vendit, Elisabetta II është edhe e para që arrin në moshën 90-vjeçare. Por rekordet nuk përfundojnë këtu: mbretëresha më e dashur nga populli britanik (sipas një sondazhi të bërë në vitin 2016), është zyrtarisht monarkja e cila është shfaqur në më shumë pulla në histori.















