Nisi mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD, ku para fillimit të votimit, mbajti edhe fjalën e rastit kreu i saj, Lulzim Basha. Ky i fundit theksoi se gara është mes më të mirëve dhe se numri i madh i aplikantëve dhe cilësia e tyre, ishte një lajm shumë i mirë për nisjen e re.
“Një parti politike në opozitë merr tiparet e përkushtimit të drejtuesve dhe ekipit drejtues. Ja pse opinioni publik ka përqendruar vëmendjen këtu. Gara është mes më të mirëve, numri i madh i aplikantëve dhe cilësia e tyre ishte një lajm shumë i mirë , për nisjen e re. Dhe po aq e vërtetë është ekzistencës e ardhjes së vlerave në PD si qytetarë.”- tha Basha.
Basha përsëriti edhe njëherë anëtarësimet e reja të regjistruara në radhët e partisë së djathtë, ku deri më tani rezultojnë 105.000 anëtarë të rregullt.
“Në asnjë moment PD nuk ka qenë parti në letër. Riregjistrimi me qëllim që kur të zhvillohen zgjedhjet në forumet e PD të ketë rregulla e të vlerësohen anëtarët e saj.”- u shpreh Basha.
Në fund të fjalës së kreut të kësaj partie, Edi Paloka dhe Edmond Spaho u zgjidhën me votim të hapur nënkryetarë të Partisë Demokratike. Ndërkohë që pritet të votohet posti i sekretarit të Përgjithshëm, ku kandidatë janë Eduard Selami, Enkelejd Alibeaj dhe Arben Ristani.
PD është ripërtërirë, jo tjetërsuar
“Shpallëm bashkimin, e ribashkimin, hapjen e ripërtëritjen, të gjitha këto kanë bërë që PD të ringrihet, të rinisë me forca të reja. Partia është ripërtërirë, por jo tjetërsuar. Përtëritja duhet të vazhdojë , hapja në mendësi duhet të mundësohet. Është një sjellje, hapja është të njohësh gjendjen e njerëzve të jetosh me qytetarët. Hapja është të kërkosh zgjidhje për qytetarët”, tha Basha.
Mblidhet për herë të parë Këshilli Kombëtar i PD-së
Partia Demokratike mblodhi sot për herë të parë Këshillin Kombëtar të partisë, pas zgjedhjes së tij në muajin shtator.
Nga mbledhja pritet të zgjidhen strukturat më të reja drejtuese. Si orar është caktuar ora 11:00 e paradites së kësaj të diele, në selinë e partisë.
Këshilli i thirrur nga kryetari i PD-së, Basha do të votojë për sekretarët, drejtuesit e departamenteve, sekretarit të përgjithshëm dhe të nënkryetarëve të PD-së. Gara më e fortë në këto zgjedhje pritet të zhvillohet për dy postet e nënkryetarit. Kandidatët më të favorizuar janë kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka dhe Edmond Spaho. Partia Demokratike pritet të ketë sërish dy nënkryetarë dhe njëri prej tyre do të jetë automatikisht edhe kryetar i grupit parlamentar të PD-së.
Po kaq e fortë pritet të jetë edhe gara për numrin dy të partisë, sekretarin e Përgjithshëm. Në lidhje me këtë post tashmë prej kohësh në garë kanë qenë 3 persona, Eduard Selami, ish kryetar i PD-së, Enkelejd Alibeaj, ish-ministër në kabinetin Berisha, si dhe deputeti Arben Ristani. Sipas gjasave postin e sekretarit do ta fitojë ish-kryetari i PD, Eduard Selami, një figurë e afërt me kryetarin aktual Lulzim Basha.
Për 6 postet e sekretarëve kanë shprehur interes për të kandiduar me tepër se 15 demokratë, ndërsa aplikimet për vendet në sekretariatin e ri të PD-së vazhdojnë ende. Ndërkohë për 22 departamente tilla për çdo sektor social, politik apo ekonomik kandidojnë 65 persona. Për sa i përket departamenteve, këto të fundit janë përgjegjës për krijimin dhe ngritjen e politikave brenda PD-së si dhe për krijimin e platformës elektorale.
Këshilli Kombëtar do të zgjedhë 22 kryetarë departamentesh, teksa propozimi për emrat do të vijë nga vetë lideri opozitës Lulzim Basha. Në statutin e ri të PD-së, të miratuar këtë shtator, u përcaktua si risi ngritja pranë PD-së e departamenteve, të cilat janë përgjegjëse për përgatitjen e platformave, opinioneve, strategjive dhe programeve sektoriale, të cilat shërbejnë për formulimin e programit elektoral, programit të qeverisjes dhe veprimtarinë politike të PD-së.
Ndërsa më 30 tetor kreu i PD-së, Basha shpalli garën për sekretariatet dhe departamentet e reja të PD-së.
















