Zëvendëskryeministrja në detyrë, njëherësh udhëheqësja e dialogut teknik, Edita Tahiri, të enjten ka thënë se janë bërë disa arritje të suksesshme në dialogun e Brukselit.
“Në takimin që e kam pasur në Bruksel, por edhe në procesin e dialogimit, një prej arritjeve kryesore këto ditë është aprovimi i plani aksional për energjinë”, ka rikonfirmuar ajo në një konferencë për media. Tahiri ka përkujtuar se ky plan është aprovuar pas një viti të bisedimeve.
“Siç e dini, vjet më 8 shtator kemi arritur marrëveshjen për energjinë e nënshkruar mes dy kryeministrave të të dyja shteteve të Kosovës dhe Serbisë dhe zonjës Ashton dhe këtë javë kemi rrumbullakuar edhe planin për zbatim”, ka thënë ajo.
Tahiri ka vlerësuar se me aprovimin dhe nënshkrimin e këtyre dokumenteve po hapet një kapitull i bashkëpunimit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë, sipas standardeve evropiane në bazë të marrëveshjeve të Brukselit.















