Eksperti i çështjeve të Ballkanit Edward Joseph thotë se tensionimet e fundit të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni janë mjaft serioze. Në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe ai tha se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të ndihmonte për përmirësimin e këtyre marrëdhënieve. Zoti Joseph është ekspert i Qendrës së Marrëdhënieve Ndëratlantike në Uashington.
“Mendoj se ky është një problem shumë serioz, jo thjesht për protestën që u zhvillua por për mundësinë që hendeku etnik në Maqedoni të thellohet. Gjatë disa viteve të fundit kemi parë një udhëheqje të papërgjegjshme në Shkup. Kemi parë edhe disa prirje shumë negative, ku siç po shihet, personat që u shpallën fajtorë dhe që mund të jenë përgjegjës për vrasjet po marrin mbështetje publike. Mendoj se kjo është diçka dëshpëruese. Kemi një rast mes Izraelit dhe palestinezëve lidhur me disa vrasje të fundit, por të paktën atje janë bërë arrestime në njërin rast dhe shpresohet që personi, i cili vrau palestinezin, të ndiqet ligjërisht me një proces serioz. Shpresohet që kjo ndjekje ligjore të marrë mbështetje publike. Në rastin e vrasjeve makabre në Maqedoni, të gjithë do të shpresonin që edhe atje të ndodhte po ashtu, natyrisht duke supozuar se gjykimi do të ishte i drejtë. Pra shpresat do të ishin që për viktimat të kishte mbështetje publike. Çështja në Maqedoni është shumë serioze. Mendoj se ishte gabim që anëtarësimi i Maqedonisë në NATO u pezullua për shkak të kundërshtimit të Greqisë. Rasti i tanishëm na kujton nevojën urgjente nga ana e NATO-s që çështja me Greqinë të zgjidhet një herë e mirë dhe që Maqedonia të anëtarësohet. Ky do të ishte hapi më i mirë i mundshëm për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe maqedonasve.”
Sot protesta pati edhe në Kumanovë. Tubimi kundër vendimit të gjykatës për dënimin e gjashtë shqiptarëve me burg të përjetshëm u zhvillua në mënyrë paqësore. Ndërsa në Shkup, Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska paralajmëroi protestuesit për protestën e të premtes, që të shmangin dhunën:
“U bëj thirrje personave që e kanë ndërmend të marrin pjesë në protestat e së premtes pa marrë parasyshë cilat janë qëllimet e tyre të protesojnë qetë dhe pa prishjen e qetësisë dhe rendit publik. Ministria e Brendshme është maksimalisht e gatshme dhe e përgatitur duke respektuar të gjitha standardet profesionale, t’u përgjigjet protestave në mënyrë përkatëse që të mos cojnë në prishjen e rendit dhe qetësisë publike nëpër rrugët dhe qytetet ku do të zhvillohen”.















