Partia Demokratike tha sot se vëllai i një deputeti të Partisë Socialiste kërkohet nga drejtësia në të paktën dy shtete, por lëviz lirisht në Vlorë, aty ku ka bazën e tij. Demokratët nuk e bënë me dije emrin e tij, por nga burime të tjera mësohet se bëhet fjalë për vëllain e deputetit Fatmir Xhafa. Partia Demokratike e ka denoncuar edhe herë të tjera faktin se ai ka patur probleme me drejtësinë italiane, pasi ka qenë i përfshirë në trafik droge. Pritet që në ditët në vijim të dalin edhe dokumenta zyrtarë që e vërtetojnë versionin e demokratëve, si urdhër –arresti i lëshuar nga gjykata e një vendi fqinj.
Deklarata e plotë e PD
Burime të sigurta të Interpolit Ndërkombëtar bëjnë me dije se vëllai i një deputeti të Partisë Socialiste kërkohet nga drejtësia të paktën në 2 shtete. Vëllai i deputetit të Partisë Socialiste është në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton të ketë qënë në kupolën drejtuese të një organizate ndërkombëtare dhe të mirëstrukturuar, që trafikonte marijuanë, heroinë dhe kokainë. Baza e aktivitetit dhe e lëvizjeve të tij është Vlora. Ne po pyesim sot Kryeministrin e vendit, a ka dijeni ai për raporte të tilla të Interpolit Ndërkombëtar? A është Kryeministri në dijeni të faktit se i kërkuari për trafik ndërkombëtar të drogës ka përfituar shumë lehtësi dhe imunitet falë vëllait të tij deputet? Në ditët në vazhdim ne do të publikojmë fakte të reja, ndërsa jemi në pritje që Edi Rama të përgjigjet.















